Jeremiq: Deklaratat e ambasadorit gjerman në Kosovë janë mesazh i qartë për Kurtin që të bëhet më i arsyeshëm

Zoran Jeremić
Burim: Kosovo Online

Ish-ambasadori i RFJ-së në Gjermani, Zoran Jeremiq, ka deklaruar se deklaratat e fundit të ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rode, duhen interpretuar si kritikë e hapur ndaj kryeministrit në mandat teknik, Albin Kurti, “që të bëhet më i arsyeshëm”, ndërsa për aktorët e tjerë politikë si sinjal se nuk do të tolerohet “shkalla e palejueshme e arbitraritetit” ndaj kërkesave të BE-së.

“Mendoj se kjo është para së gjithash porosi për Kurtin që ai duhet të bëhet më i arsyeshëm dhe të fillojë t’i dëgjojë më shumë. Ai, në mënyrë të dukshme, shumë gjëra ka filluar t’i bëjë sipas kokës së vet, gjë që atyre nuk u përshtatet. Derisa bënte atë që ata donin dhe e konsideronin të nevojshme, ishte në rregull”, tha Jeremiq për Kosovo online.

Njëkohësisht, shton ai, deklaratat e Rodes duhet të interpretohen edhe si mesazh i qartë për faktorët e tjerë politikë në Kosovë.

“Kjo është porosi edhe për të tjerët: ‘Nëse e largojmë Kurtin, ju gjithashtu do të jeni në situatë që duhet të na dëgjoni dhe të tregoni shkallë mirëkuptimi për interesat dhe qëndrimet tona, dhe se nuk mund të zhvilloni politikë që është jashtë politikës së BE-së, pra atyre vlerave që BE-ja i promovon dhe me çdo kusht mundohet t’i tregojë funksionale në Kosovë’”, theksoi Jeremiq.

Ambasadori gjerman, Jorn Rode, disa herë ka kritikuar situatën aktuale politike në Kosovë, madje ka deklaruar se “ndoshta ka ardhur koha për ndryshim të ekipit”, duke aluduar në përbërjen e re të qeverisë.

Gjithashtu, ai komentoi me ironi fillimin e ndërtimit të dy urave të reja mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Jeremiq thotë se pohime të tilla tregojnë se Gjermania e konsideron qeverinë aktuale në mandat teknik “jo serioze”.

“Deklaratat satirike të ambasadorit tregojnë se ata e konsiderojnë atë qeveri mjaft të papjekur, jo serioze dhe tepër të preokupuar me kalkulimet e veta politike, saqë kanë pushuar së kujdesuri për interesat e qytetarëve të Kosovës”, theksoi ish-ambasadori në Gjermani.

Prandaj, Jeremiq i interpreton deklaratat e Rodes si një lloj “paralajmërimi” për Albin Kurtin dhe “elementët e pabindshëm” se Gjermania nuk do të tolerojë politikë që nuk është në përputhje me politikën e BE-së.

“Kjo është qartësisht një përpjekje për të paralajmëruar si Kurtin ashtu edhe këta ‘elementë të pabindshëm’ që po ndjekin një politikë të tyre, e cila tani nuk është më në përputhje, para së gjithash, me politikën e BE-së. Këta që tani janë në pushtet po tregojnë për BE një shkallë të palejueshme të pavarësisë ose arbitraritetit në përmbushjen e kërkesave që u vihen përpara”, përfundoi Jeremiq.

Ai shton se kjo është veçanërisht e rëndësishme për BE-në dhe Gjermaninë në një situatë ku çështja e Kosovës bëhet ekskluzivisht një "problem evropian".

"Në një kohë kur administrata amerikane ka probleme të tjera, Kosova po bëhet ngadalë një problem evropian, domethënë problemi i Gjermanisë, e cila po imponohet si një faktor kyç", vlerëson Jeremiq.
Ai shton se Berlini zyrtar është i pakënaqur me mënyrën se si funksionon aktualisht Kosova sepse aktualisht nuk është "një vend sipas shijes së tyre".

"Ata nuk kanë problem që Kosova ekziston si shtet, e njohin si shtet, por kanë problem që nuk është shtet sipas shijes së tyre, nuk funksionon ashtu siç e imagjinuan, por në 'mënyrën ballkanike' siç thonë ata me përbuzje", tha Jeremiq.

Për Gjermaninë është një problem serioz edhe fakti që e shohin Kosovën si "fëmijën e tyre"
“Nëse fëmija i tyre nuk është në gjendje të shpallë president me 55 seanca të parlamentit dhe të gjejë një mënyrë për të zbatuar një marrëveshje themelore, normale, demokratike, atëherë ky tashmë është një tregues i qartë se diçka nuk është në rregull”, shpjegon Jeremiq.