Jevtiq: Kurti me arrestimet ngjall frikë me qëllim dëbimin e popullit serb nga Kosova
Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, vlerësoi se arrestimi i disa serbëve mëngjesin e sotëm nën akuzat për krime të supozuara lufte është pjesë e politikës së autoriteteve aktuale në Prishtinë, e cila synon frikësimin e serbëve dhe shpërnguljen e tyre nga Kosova. Ai porositi se familjet e të arrestuarve nuk do të mbeten pa mbështetje dhe ndihmë, transmeton Euronews.
Jevtiq deklaroi për Pink se personalisht njeh shumicën e të arrestuarve dhe familjet e tyre, duke theksuar se bëhet fjalë për njerëz të ndershëm dhe të respektuar.
“Ajo që mund të them është se familjet nuk do të mbeten vetëm. Jam i sigurt se, para së gjithash shteti ynë, por edhe të gjithë ne, do të qëndrojmë pranë këtyre familjeve dhe do të ofrojmë çdo ndihmë, si juridike ashtu edhe çdo lloj ndihme tjetër, për të dërguar mesazhin edhe atyre në Prishtinë që duan të përhapin frikë, se nuk do të kenë sukses në këtë”, theksoi Jevtiq.
Prokuroria Speciale në Prishtinë njoftoi më herët gjatë ditës se pesë persona janë arrestuar në një aksion të Policisë së Kosovës, të realizuar në bashkëpunim me prokurorinë në kuadër të hetimeve në rastin “Reçaku II”, i cili ka të bëjë me dyshimet për kryerjen e krimeve të pretenduara të luftës kundër popullatës civile.
Zyra për Kosovë dhe Metohi njoftoi se Policia e Kosovës, nën drejtimin e Albin Kurtit, me arrestimin e disa serbëve nga Kosova mëngjesin e sotëm nën akuzat për krime të pretenduara lufte, po vazhdon politikën e terrorit dhe hakmarrjes ndaj popullit serb.
Nga Lista Serbe u tha se arrestimet e pabazuara të serbëve kanë për qëllim krijimin e një atmosfere frike, pasigurie dhe presioni shtesë ndaj popullit serb që ka mbetur të jetojë në vatrat e veta shekullore në Kosovë.
0 komentet