Jevtiq: Pozita e serbëve në Kosovë nuk ka qenë kurrë kaq e keqe
Nënkryetari i Listës Serbe dhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, i pyetur sot se si është situata në Kosovë 15 vjet pas vetëshpalljes së pavarësisë, ka theksuar se pozita e serbëve në Kosovë nuk ka qenë kurrë kaq e keqe.
Jevtiq, për RTS-në, ka theksuar se gjithçka që ka ndodhur që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet ka për qëllim mohimin edhe të atyre të drejtave që janë në ligjet e Kosovës.
“Situata në të cilën serbët në veri me të drejtë i kanë braktisur të gjitha institucionet, kurse serbët në jug të Ibrit nuk i kanë as të drejtat që duhet t'i kenë, e përshkruan mjaft situatën në Kosovë e Metohi. Numri i incidenteve është dyfishuar që kur Kurti ishte kryeministër dhe kjo përshkruan qëndrimin e qeverisë aktuale në Prishtinë ndaj serbëve. Situata në nivelin qendror është se ju nuk keni përfaqësues politikë të serbëve në Kosovë e Metohi, dhe kjo flet edhe për marrëdhëniet dhe plotëson tablonë e problemeve në të cilin gjenden serbët, të cilët jetojnë të pasigurt, me perspektivë të dobët ekonomike. Qeveria aktuale po bën gjithçka për t'i poshtëruar dhe vënë serbët në një pozitë gjithnjë e më të vështirë", shpjegoi ai.
Jevtiq theksoi se serbët jo vetëm që janë të privuar nga të drejtat e tyre, por edhe përballen me arrestim dhe burgim të padrejtë.
"Ata që duan të kthehen dhe të rimarrin pronën e tyre akuzohen për krime lufte. E gjithë kjo ndikon në numrin e serbëve që jetojnë sot në Kosovë e Metohi. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë i takon komunitetit ndërkombëtar, i cili nuk duhet të tolerojë dhunën institucionale ndaj serbëve në të gjitha nivelet. Ne në jug të Ibrit jetojmë në enklava. Në komunën e Shtërpcës nuk kemi problem me shqiptarët vendas, por me ata që vijnë nga pjesët tjera. Kështu qëlloi një anëtar i FSK-së Stefanin dhe Milloshin, dhe kjo është produkt i retorikës së pushtetit aktual, që i jep të drejtë dikujt të vijë në Shtërpcë dhe të qëllojë dikë. Populli shqiptar e pranon atë retorikë, e cila është shumë e ashpër ndaj serbëve, ku vazhdimisht flitet për serbët si kriminelë”, shpjegoi ai.
Në të njëjtën kohë ai thotë se dialogu nuk ka alternativë.
“Duhet të flasim për të shmangur konfliktin. Fatkeqësisht, nga ana tjetër, Kurti dhe qeveria e tij nuk janë të gatshëm për dialog sepse e shohin si diçka që do t'i heqë të drejta, siç mendojnë ata. Ne insistojmë në dialog për zgjidhjen e problemit. Prandaj besojmë se, me të gjitha problemet, mund t'i zgjidhim problemet vetëm me dialog dhe në asnjë mënyrë tjetër”, tha ai.
Jevtiq tha se pozita e Serbisë në arenën politike ndërkombëtare është e ndryshme falë politikës së presidentit serb Alleksandar Vuçiq.
Ai thotë se këtë e ka parë gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington, ku kjo politikë më serioze, por edhe një Serbi më e fortë ekonomikisht dhe politikisht, ka kontribuar në një ndryshim të caktuar të politikës amerikane.
“Vuçiq arriti ta rikthejë çështjen e Kosovës e Metohisë në agjendën e fuqive perëndimore, gjë që duhet ta shfrytëzojmë. Ky është momenti në të cilin ne mund të zgjidhim problemet”, nënvizoi ai.
Kur bëhet fjalë për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, Jevtiq thekson se Uashingtoni tha se do të formohej me ose pa Kurtin, sepse SHBA-të e panë që ai nuk ishte i gatshëm ta zbatonte dhe kështu t'u siguronte serbëve të paktën disa të drejta.
Ai theksoi se kjo është për shkak se SHBA-të duan të shmangin një konflikt në këtë pjesë të Evropës, për shkak të situatës në lindje, ku lufta është ndezur.
“Nuk jam i sigurt se të gjitha fuqitë perëndimore e shohin këtë problem në të njëjtën mënyrë. E kam fjalën për disa vende të Evropës që nuk janë pjesë e BE-së, të cilat problemit i qasen ndryshe”, tha Jevtiq, ndërsa i pyetur nëse ishte Britania e Madhe, ai u përgjigj “ndër të tjera”.
“Unë pashë vendosmërinë e SHBA-së për t'iu qasur problemit në një mënyrë tjetër këtë herë. Nuk kam dëgjuar ndonjë datë specifike, por definitivisht ka afate që ata janë të vendosur për të formuar BKS. Ne nuk e shohim BKS-në si një çështje politike, por një çështje me rëndësi jetike për qëndrimin dhe mbijetesën në Kosovë e Metohi”, theksoi ai.
Jevtiq tha se Kurti nuk dëshiron në pushtet serbët e zgjedhur në mënyrë legjitime, por vetëm ata që thonë atë që ai dëshiron të dëgjojë.
Ai ka thënë se nuk ka kontakte me Kurtin dhe Prishtinën.
“Edhe për pyetjet dhe kërkesat që i dërgoj si kryetar i komunës, nuk marrim përgjigje nga Prishtina”, ka shtuar ai.
0 komentet