Kaja Kallas në Mitrovicën e Veriut: E rëndësishme të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe të kuptohet realiteti në terren

Kalas
Burim: Kosovo Online

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj në Mitrovicën e Veriut deklaroi se është thelbësore prania e akterëve ndërkombëtarë në terren në mënyrë që të krijohet një pasqyrë reale për gjendjen dhe sfidat në rajon.

„Së pari, është me rëndësi të jemi këtu në veri të Kosovës, sepse shohim shumë narrativa të ndryshme. Është e rëndësishme të jemi dëshmitarë të asaj që po ndodh në terren dhe të dëgjojmë se çfarë thonë njerëzit“, deklaroi Kallas, duke theksuar se vizitoi gjykatën lokale dhe shkollat, me qëllim që të informohet drejtpërdrejt për kushtet dhe funksionimin e institucioneve.

Ajo theksoi se gjykata aktualisht funksionon, por se po pritet kthimi i gjyqtarëve serbë, gjë që paraqet sfidë kyçe për sistemin gjyqësor në atë pjesë të Kosovës.

Kallas shtoi se ka zhvilluar biseda me komandantin e KFOR-it dhe përfaqësues të misionit të BE-së për sundimin e ligjit, në mënyrë që të marrë një pasqyrë sa më objektive të situatës.

„Njëra palë thotë një gjë, pala tjetër diçka tjetër. Megjithatë, forcat ndërkombëtare që janë këtu japin një pasqyrë adekuate dhe të balancuar. Po ashtu është e rëndësishme të bisedohet me njerëzit lokalë dhe të dëgjohen përvojat e tyre“, shtoi ajo.

Në përfundim, Kallas theksoi se qëllimi i saj është që BE-ja, bazuar në informacionet e mbledhura, të punojë që e ardhmja në Kosovë të jetë „e begatë dhe e sigurt për të gjithë“.