Kasolli: Tërheqja e SHBA do të kishte pasoja për Europën dhe Ballkanin Perëndimor

Afrim Kasoli
Burim: Kosovo Online

Analisti politik Afrim Kasolli ka theksuar se tërheqja eventuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të kishte komplikacione në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor pasi siç tha ai, gjatë viteve të kaluara është treguar se Bashkimi Europian nuk ka mundur të menaxhojë krizën.

"Krizat gjeopolitike të cilat kanë shpërthyer në shumë vende të botës, përfshirë dhe Lindjen e Mesme e veçanërisht irritimi në Lindjen e Largët me Tajvanin, ka çuar alarmin se SHBA pavarësisht se kush do të fitojë në zgjedhjet presidenciale, Haris apo Tramp, janë të orjentuar tek Lindja e Largët me synim kontrollin e balancuar të Kinës. Dokumenti strategjik kombëtar amerikan kohët e fundit thotë se Kina ngelet një nga rivalët kryesorë gjeopolitik të SHBA dhe duhet të investohet tek kufizimi i kësaj fuqie aty ku mund të shkaktojë pasoja sipas rolit dominues të SHBA në botë", ka thënë Kasolli.

Sipas fjalëve të tij, tërheqja e SHBA do të kishte pasoja në Europë dhe Ballkanin Perëndimor. Kasolli bën të ditur se praktika ka treguar që BE pa SHBA nuk mund të menaxhojë dot krizën. Për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Sërbisë, Kasolli bën të ditur se Amerika zotohet për atë proces që udhëhiqet nga Unioni, ku do të jetë në situatë të palakmueshme në rastin e tërheqjes së SHBA.

"Kjo mund të ketë komplikime në Europë dhe Ballkanin Perëndimor. Jam skeptik që BE do të arrijë sukses në kompensimin e rolit vendimtar të SHBA pasi praktika tregoi se prej fillimit të viteve '90, kur nisi kriza e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, BE tregoi se nuk arriti rolin e saj në menaxhimin e krizës dhe në disa raste sikurse në përfundimin e luftës në Bosnjë apo në Kosovë, faktori amerikan ishte vendimtar. SHBA deri më tani ka qenë pro dialogut nën kujdesin e BE por nëse shkohet deri në tërheqje amerikane, shikoj situatë të palakmueshme si për rajonin ashtu edhe për BE” ka thënë Kasolli.

Ky i fundit ndërkohë nuk beson se Amerika do të tërhiqet brenda natës, madje dhe nëse Donald Tramp do të fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Sikurse thekson, ai para së gjithash duhet të zgjidhë krizën në Ukrainë.

"Jam skeptik nëse do të ndodhë pa mbarimin e luftës në Ukrainë. Nuk besoj se SHBA do të tërhiqen nga Ukraina, ashtu sikurse ndodhi me Afganistanin pa mbështetje, sepse e dinë që Ukraina nuk do të mund të mbahej ndaj agresionit rus nëse nuk do të kishte të tillë mbështetje. Kështu që nuk besoj se SHBA do të tërhiqen madje edhe nëse Tramp do të fitojë, pavarësisht deklaratave në fushatë se mund t’a zgjidhë krizën në harkun e një dite, nuk besoj se do të tërhiqen surprizueshëm pa epilogun e luftës në Ukrainë. Me mbarimin e krizës në Ukrainë, mund të krijohet një realitet. Nëse lufta në Ukrainë përfundon me shkëmbim të territoreve apo autonomi të lartë për entitetet rusishtfolëse, kjo do të jetë vendimtare për zhvillimet politike në pjesë të tjera të Europës", beson Kasolli.

Ky i fundit ka opinion se "lufta ndaj Kinës" do të ngelet orjentim gjeopolitik i SHBA.

"Nuk besoj se SHBA do të tërhiqet brenda natës, ndonëse synimi afatgjat strategjik i tyre është që të kufizojë Kinën. Për të mos harruar që Kina është kërcënim për sigurinë europiane me veprimet e saj të dyfishta ndaj mediave ndërkombëtare. Nga ana tjetër, fuqia e saj ekonomike nisi të dobësojë ndjeshëm fuqinë ekonomike europiane, ndërsa nga ana tjetër dhe mbështetja që i jep Rusisë në luftën në Ukrainë ku ndikon në kërcënimin e sigurisë dhe paqes në Europë. Ndaj dhe menaxhimi i këtij kërcënimi të dyfishtë, ngelet orjentimi kryesor gjeopolitik i SHBA në dekadën e ardhshme", përmbylli Kasolli.