Rrecaj: BE dhe SHBA nuk kanë hequr dorë nga AKS

Besfort Recaj
Burim: Kosovo Online

Profesori në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, tha se BE-ja dhe SHBA-ja nuk kanë hequr dorë nga kërkesa që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të kushtëzohet drejtpërdrejt me dërgimin e draft-statutit e AKS në Gjykatën Kushtetuese. 

“Mendoj se gjithmonë ka qenë qëndrim i BE-së dhe partnerëve të saj që qeveria duhet të dërgojë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, siç parashihej në marrëveshjet e mëparshme të vitit 2013 dhe 2015. Prandaj, për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, qeveria duhet të përmbushë detyrën e saj, të hartojë statutin e Shoqatës dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Dhe tash e kanë përsëritur atë kërkesë”, ka thënë Rrecaj.

I pyetur nëse bëhet fjalë për ndryshim të retorikës së BE-së sepse AKS më parë ishte “kusht i të gjitha kushteve”, ndërsa tani thuhet se mjafton që draft-statuti i AKS të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, Rrecaj thotë se formimi i strukturës së AKS kërkon kohë.

“Me sa kuptoj unë, kërkesa ka qenë gjithmonë që qeveria të formoj strukturën përfundimtare (AKKS), por kjo do të marrë kohë. Edhe sikur të kishim një vendim (të Gjykatës Kushtetuese), do të duhej kohë”, thotë Rrecaj.

Ai thekson se ky institucion kosovar do të marrë vendimin përfundimtar për fatin e mëtutjeshëm të statutit të propozuar për AKS.

“Pastaj do ta obligojnë qeverinë që të marrë apo jo vendim për formimin, ose do të tregojnë nevojën për largimin e disa nenëve nëse ka mospajtime apo konflikte me Kushtetutën e Kosovës”, sqaron Rrecaj.

Ai shprehet i bindur se ky kusht do të përsëritet nëse Kosova është sërish në agjendë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Tani do të shohim se si do të zhvillohet ky proces. Nëse në Këshillin e Evropës ka vullnet që Kosova të jetë sërish në agjendën e anëtarësimit dhe nëse ky është kriteri, atëherë do të jetë ashtu siç ka qenë kushti më parë”, beson Rrecaj.

Nuk përjashtohet mundësia që Kosova përveç AKS të ketë edhe disa kritere të reja.

“E dini, gjërat mund të ndryshojnë. Ndonjëherë është më mirë të përdoret 'momentum' sepse politika po evoluon dhe mund të ketë kërkesa të ndryshme në të ardhmen. Por besoj se ky kriter është përfundimtar. Dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese është kriter për anëtarësimin e Kosovës”, thotë Rrecaj.

Ai nuk i interpreton deklaratat e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rode dhe të të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanof, si tërheqje të BE-së dhe SHBA-së nga kërkesa që Prishtina të formojë AKS.