Komandanti i KFOR-it: Kurti ka gabuar, mjaft me veprime të njëanshme

Anđelo Mikele Ristuća.jpg
Burim: Facebook/Kfor

Komandanti i KFOR-it, Angjello Mikelle Ristuqa, ka kritikuar në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se ka gabuar që ka emëruar kryetarë komunash me kombësi shqiptare në veri të Kosovës, të cilët nuk njihen nga shumica serbe.

“Misioni i NATO-s nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si një ombrellë nën të cilën mund të strehohet pas veprimeve të njëanshme që prishin ekuilibrat shumë të pasigurt”, tha Ristuqa.

Gjenerali Ristuqa theksoi se gjakderdhja mund të kishte ndodhur pa ndërhyrjen e KFOR-it dhe për këtë fajëson veprimet e njëanshme të Kurtit.

“Para së gjithash, vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për emërimin e kryetarëve të komunave me kombësi shqiptare që shumica serbe nuk i njeh, pa marrë parasysh këshillat e kundërta të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, gjë që e bëri të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”, shpjegoi ai.

Kur u pyet nëse nuk ishte një zgjedhje legjitime e një qeverie që vepron në territorin e saj, Ristuqa u përgjigj se nuk duhet pretenduar se kjo është një situatë normale.

“Ju lutem, mos pretendojmë se është një situatë normale, këto vendime janë marrë pa koordinim paraprak me ne dhe palët e përfshira. Nuk është hera e parë që ndodh. Kjo është një qasje që sigurisht nuk inkurajon besimin reciprok. Pasojat e dëmshme të veprimeve të tilla duhet të vlerësohen gjithmonë. Kur ka folur me mua, kryeministri Kurti ka qenë gjithmonë dakord me këtë qasje”, ka shtuar ai.

Më tej i pyetur se pse këtë herë nuk ka vepruar kështu, ai ka thënë se duhet ta pyesin Kurtin.

Për deklaratën e “Corriere della Sera” se Kurti tha se Kosova është shtet sovran dhe se nuk mund t'i dorëzohet shantazheve të banditëve, Ristuqa tregoi se pjesëtarët e KFOR-it, si ushtarë, janë të shqetësuar për sigurinë, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes së dy grupeve etnike.

“Unë nuk i gjykoj vendimet politike, por kam për detyrë të kujdesem për pasojat e tyre, të cilat në një kontekst kaq delikat mund të çojnë lehtësisht në përshkallëzim, siç e kemi parë”, nënvizoi ai.

I pyetur se çfarë do të ndodhte në veri të Kosovës pa misionin e NATO-s, gjenerali italian tha se “një tjetër vatër lufte”.

“Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës. Le ta quajmë destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kujtdo që i përfaqëson. Çdo balancë e arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, bëhet gjithnjë e më e pasigurt”, shtoi ai.

Ai tha se përgjegjësitë nuk janë vetëm në njërën anë.

"Të dyja palët nuk janë në gjendje të kapitalizojnë qëllimet e arritura ndër vite, me përpjekjet e mëdha të diplomacisë ndërkombëtare. Në momentin që ka një marrëveshje, ajo duhet të zbatohet. Por pa asnjë dialog, ajo mbetet një letër e vdekur. Në bazë për gjithçka është thjesht mosbesim i ndërsjellë. Pacta sunt servanda. Kjo do të mjaftonte. Por ata nuk mund ta bëjnë këtë", tha Ristuqa.

Ai theksoi se mjedisi në të cilin ndodhet është i ngopur me retorikë absolutisht joproduktive dhe të rrezikshme, krejtësisht jofunksionale për qëllimet e paqes që dëshiron të arrijë bashkësia ndërkombëtare në Kosovë.

I pyetur nëse kjo do të thotë se mungon vullneti politik, Ristuqa u përgjigj se janë arritur rezultate të rëndësishme në njëzet vitet e fundit.

“Edhe në kushtet e bashkëjetesës paqësore. Por duke filluar nga viti 2021, ne po ecim prapa, si karkaleca. Për shkak të polarizimit ekstrem të disa fakteve, të cilat u shfrytëzuan nga të gjitha palët e përfshira në emër të politikës ekstremiste, gjë që cenoi stabilitetin mes dy grupeve etnike”, ka sqaruar ai.

Ristuqa deklaroi se ndërhyrja e Kfor-it krijoi vetëm një efekt afatshkurtër.

"Me veprime diplomatike, Serbia dhe Kosova kanë filluar përsëri të bisedojnë me njëra-tjetrën. Shpresojmë që kjo kornizë kohore të përdoret për fillimin e negociatave reale. Siç nuk është bërë deri më tani", përfundoi ai.