Lajçak pas takimit me Kurtin: Kemi pritur më shumë mirëkuptim
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, e ka quajtur takimin me Kryeministrin Albin Kurti të hapur dhe të sinqertë, por ka shtuar se takimi nuk ka qenë i lehtë dhe se delegacioni ndërkombëtar ka pritur më shumë mirëkuptim për propozimet që ka paraqitur.
Lajçak shtoi se në fokus të bisedimeve ishte propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kemi ardhur me një delegacion të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe këshilltarëve të lartë të Gjermanisë, Francës e Italisë që është sinjal se ne jemi të zotuar për një normalizim të raporteve. Të gjitha ato forca ishin fort pas saj. Qëllimi i takimit ishte të diskutojmë propozimin për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator, e më pas në dhjetor. Kemi më shumë se dy orë në takim që do të thotë se takimi nuk ishte i lehtë, ishte i gjatë, por i hapur dhe i sinqertë”, tha Lajçaku.
Lajçaku shtoi se është shumë herët të bëjmë ndonjë “deklaratë dramatike”, sepse delegacioni është në mes të misionit që vazhdon në Beograd.
“Por kemi pritur mirëkuptim më të mirë të mundësisë që ofron ky propozim. Shpresoj të arrijmë deri mirëkuptimin e plotë dhe shfrytëzimin e gjithë potencialit që ofron propozimi”, tha Lajçaku.
Në takim morën pjesë edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Eskobar, Këshilltari për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Gjermanisë, Jens Plletner, i dërguari i presidentit francez, Emanuell Bonet, si dhe Këshilltari i Kryeministrit italian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Françesko Tallo.
0 komentet