Lajçak: Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës të shpallen pa vonesa të mëtejshme

Miroslav Lajčak
Burim: Kosovo Online

Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës të shpallen pa vonesa të mëtejshme dhe është e rëndësishme që procesi drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja për kryekomunarët  në katër komuna më në fund filloi me themelimin e grupeve iniciative të serbëve nga Kosova në fillim të dhjetorit, ka deklaruar i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, në një intervistë për Politika.

Lajçak beson se rithemelimi i vetëqeverisjeve lokale plotësisht përfaqësuese në veri të Kosovës është i domosdoshëm për deeskalimin e situatës në terren dhe për procesin më të gjerë të normalizimit.
Është e nevojshme edhe për vazhdimin e krijimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe, tha Lajçak.

“Më vjen keq që regjistrimi i grupeve iniciative fillimisht u përball me pengesa të papritura administrative, por që atëherë kam marrë garanci nga Kosova se këto probleme do të zgjidhen së shpejti në mënyrë që mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të mund të fillojë menjëherë”, ka theksuar Lajçak, transmeton RTS.

Ai ka thënë se situata në Kosovë është e brishtë dhe se nuk mund të kemi njëkohësisht përshkallëzim apo tensione dhe progres në normalizimin e marrëdhënieve.

Ai gjithashtu theksoi se dialogu është platforma e vetme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura dhe burimeve të mundshme të fërkimit.