Banorët e Graçanicës: Situata është e tensionuar dhe e vështirë, me arrestimin e drejtorëve po ushtrojnë presion ndaj nesh
Banorët e Graçanicës deklaruan për Kosovo online se arrestimin e drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore e shohin si presion ndaj popullit serb, por edhe se qëllimi i Prishtinës është që të ketë sa më pak serbë. Ata nuk janë optimistë as sa i përket lirimit të të arrestuarve, sepse, siç thonë, këdo që e arrestojnë autoritetet kosovare, vështirë e lirojnë.
Damjan Shabiq tha se te populli mund të ndihet frika dhe se situata është e tensionuar.
“Mund të them se të gjithë jemi në njëfarë frike, mbizotëron tensioni mes të gjithëve neve. Edhe kur flas me miq, të afërm dhe familjarë, mendoj se të gjithë ndajmë të njëjtin mendim se situata është vërtet shumë e tensionuar. Mendoj se edhe ky është qëllimi, që nga viti në vit dhe nga dita në ditë të jemi gjithnjë e më pak, kështu që besoj se kjo është një politikë e tyre”, deklaroi Shabiq.
Një banor më i moshuar i Graçanicës tha se nuk është optimist që drejtorët e arrestuar do të lirohen.
“Kjo ka qenë gjithmonë, edhe sot e kësaj dite, ky presion. Çfarë të bëjmë, ne nuk dimë ku të shkojmë, jetojmë nga dita në ditë... Vështirë se do t’i lirojnë, është shumë keq. Mos e dhëntë Zoti të arrestojnë dikë. Ky është mendimi im, nuk besoj se do t’i lirojnë lehtë. Kë kanë arrestuar, nuk e kanë liruar shpejt. Ky është presion. Të gjitha këto i bëjnë politikanët. Populli nuk është fajtor, por politikanët janë fajtorë”, tha ai.
Një bashkëqytetar i tij megjithatë shpreson se dikush do ta zgjidhë këtë çështje.
“Ndoshta dikush do të arrijë ta zgjidhë këtë. Nuk është mirë – nuk është mirë, por çfarë të bëjmë”, tha ai.
Pas arrestimit dhe caktimit të paraburgimit njëmujor për shtatë drejtorë të shkollave, qendrave shëndetësore dhe QSK-së së Prishtinës me seli në Graçanicë, punonjësit e këtyre, por edhe të institucioneve të tjera, po mblidhen çdo ditë në shenjë mbështetjeje për të arrestuarit.
Sot protestës mbështetëse para QSK Prishtinë-Graçanicë iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, me rreth njëzet teknikë mjekësorë nga QSK në Mitrovicën e Veriut.
0 komentet