Lista serbe dënoi sulmin e përsëritur në shtëpinë e të kthyerve në Novo Selo Maxhunski

Srpska lista
Burim: Facebook

Lista serbe e dënoi zjarrvënien në shtëpinë e të kthyerit Ranko Janaçkoviq në Novo Selo Maxhunski të komunës së Vuçitrnit, duke theksuar se janë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe se shtëpia është djegur pothuajse tërësisht.

"Sulmi i tmerrshëm ndaj familjes Janaçkoviq është vepër e ekstremistëve të cilët nuk e pranojnë vendimin e familjes për të mos lënë vendlindjen dhe për të shitur pronën e tyre. Është një shtëpi familjare që familja Janaçkoviq e rinovoi dhe e ngriti nga hiri dy herë dhe ishte pothuajse gati për banim para se t'i vihej zjarri sërish dje. Në një shoqëri që regjimi në Prishtinë e reklamon si më demokratiken, sulmet ndaj serbëve janë dukuri e përditshme dhe thonë pikërisht të kundërtën e asaj që Kurti dhe të tjerët i prezantojnë publikut ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Listës serbe.

Siç shtohet, ekziston rreziku real që ashtu si në dy rastet e mëparshme edhe ky i tretë të mos marrë kurrë epilog gjyqësor dhe autorët të mbeten të panjohur.

“Është një fakt dëshprues”, theksohet në deklaratë.

Lista Serbe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë përpjekje maksimale dhe të bëjë presion mbi Policinë e Kosovës që të ndalojë fshehjen e sulmuesve ndaj popullit serb dhe pronës serbe dhe të gjejë dhe ndëshkojë përgjegjësit.

“EULEX-i dhe KFOR-i duhet të forcojnë praninë e tyre në zonat serbe dhe të sigurojnë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, sepse ky është obligim i tyre që buron nga mandati që kanë marrë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet nga Lista Serbe.