Lista Serbe me Ralan Hill për veprimet e njëanshme të Kurtit në veri të Kosovës

Srpska lista
Burim: Srpska lista

Delegacioni i Listës Serbe, i kryesuar nga kryetari Zllatan Ellek, u takua sot në Prishtinë me ushtruesin e detyrës së zëvendësshefit të misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ralan Hill. Përfaqësuesit e Listës Serbe shprehën shqetësimin e tyre për një sërë veprimesh të njëanshme nga ana e regjimit të Albin Kurtit, i cili, siç i theksuan bashkëbiseduesit, po përpiqet me presion institucional dhe të motivuar etnikisht të dëbojë popullatën serbe nga ato hapësira.

Siç thuhet në deklaratë, në takim është diskutuar në veçanti për marrjen joligjore të kompanisë së ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, si dhe për rreziqet që sjell ky akt, përfshirë rrezikun e një katastrofe humanitare, duke pasur parasysh se ujësjellësi rajonal nga Mitrovica e Jugut nuk ka kapacitete, resurse dhe, sidomos, nuk ka besimin e popullatës serbe për të siguruar furnizimin me ujë, veçanërisht për Qendrën Klinike, kopshtet, shkollat, fakultetet dhe konviktet studentore.

Përfaqësuesit e Listës Serbe paraqitën propozime konkrete për tejkalimin e situatës së krijuar, që përfshijnë, ndër të tjera, mundësimin e menjëhershëm të kthimit të të gjithë punonjësve në vendet e tyre të punës për të garantuar qasjen e sigurt në ujë për të gjitha komunitetet.

U prezantua edhe një zgjidhje kompromisi në interes të qytetarëve, e bazuar në nevoja reale dhe ekspertizë profesionale.

Gjatë bisedës, Hill përsëriti shqetësimin e Ambasadës Amerikane lidhur me mbylljen e menjëhershme të institucioneve dhe rrezikun që kjo sjell për sigurimin e shërbimeve themelore në Kosovë.

Ai theksoi se udhëheqësit e të gjitha palëve dhe institucioneve duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe në përputhje me nevojat e të gjithë qytetarëve.