Lista Serbe me UNMIK: Serbët të ekspozuar ndaj represionit institucional, kërkojmë mbrojtje më të fuqishme

MITROVICA
Burim: Kosovo Online

Përfaqësuesit e Listës Serbe zhvilluan sot, në selinë e partisë, një takim me delegacionin e UNMIK-ut, të kryesuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, me të cilin biseduan për pozitën e popullit serb, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve lokale.

Siç thuhet në njoftim, gjatë takimit përfaqësuesit e Listës Serbe vunë në dukje pozitën jashtëzakonisht të vështirë të popullit serb dhe vlerësuan se ndaj serbëve po ushtrohet represion i vazhdueshëm institucional, i cili manifestohet përmes cenimit të përditshëm të të drejtave themelore të njeriut, politike dhe pronësore.

„Në veçanti u vunë në dukje rastet e rrënimit të paligjshëm të objekteve, ndalimeve të pabazuara, përdorimit të tepruar të forcës dhe rrahjes brutale të qytetarëve, me theks të veçantë në rastin e Nenad Rashkoviqit. Veprime të tilla krijojnë frikë dhe pasiguri shtesë në mesin e popullsisë serbe dhe kërkojnë një reagim të qartë dhe të paekuivok të përfaqësuesve ndërkombëtarë“, thuhet në njoftim.

Shtohet se në takim u shpreh kundërshtim i qartë ndaj ndryshimeve të paralajmëruara në praninë e KFOR-it në urën mbi Ibër, si dhe te Manastiri i Deçanit, duke vlerësuar se çdo vendim që mund të zvogëlojë sigurinë e popullit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe do të ishte i papranueshëm.

„U vu në dukje edhe pengimi i punës së vetëqeverisjes lokale nga institucionet qendrore, me çka vështirësohet drejtpërdrejt funksionimi i komunës dhe realizimi i të drejtave dhe interesave të qytetarëve“, shtohet në njoftim.

Përfaqësuesit e Listës Serbe shprehën mbështetje të plotë për vazhdimin e punës së UNMIK-ut, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe për raportimin e rregullt dhe objektiv të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për gjendjen në terren.

Njëkohësisht u theksua se nga UNMIK-u pritet që në raportet e tij të vërë në dukje në mënyrë të qartë dhe të saktë rastet konkrete të shkeljes së të drejtave të popullit serb dhe presionet institucionale ndaj të cilave janë të ekspozuar serbët.

„Misionet ndërkombëtare, në përputhje me mandatet e tyre, duhet të jenë më aktive në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe të drejtave themelore të popullit serb, si dhe ta informojnë në mënyrë objektive dhe në kohë bashkësinë ndërkombëtare për gjendjen në terren“, porositën nga Lista Serbe.