Lista Serbe: Ndërsa serbëve u shkatërrohet prona, Rashiqi parakalon me Kurtin në Zubin Potok
Lista Serbe ka theksuar sot në një komunikatë se, ndërsa me urdhër të Albin Kurtit serbëve në liqenin e Ujmanit u shkatërrohet prona që e kanë krijuar për dekada, ndërsa serbët nga Zubin Potoku arrestohen, keqtrajtohen, ndalohen dhe u bastisen shtëpitë, Nenad Rashiqi sot “parakalon” me të në Zubin Potok, pret shiritat e kuq dhe, siç thonë, buzëqesh i kënaqur përballë vuajtjeve të serbëve.
“Vetëm pak kilometra larg vendit ku Rashiqi dhe Kurti sot po pozojnë, ndodhen rrënojat e vikend-shtëpive, shtëpive dhe hoteleve serbe, pra e gjithë jeta e dikujt, e shkatërruar me urdhër të Prishtinës dhe të atyre me të cilët Rashiqi sot fotografohet triumfalisht. Por ai nuk i kushton vëmendje kësaj, sepse edhe vetë dikur votoi në qeverinë e Kurtit që t’u merrej prona familjeve serbe në Zubin Potok dhe Leposaviq, dhe për këtë nuk e pyet as Kurtin, as ministrat e tij me të cilët mburret se punon ‘me forca të përbashkëta’”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Ata konstatojnë gjithashtu se Rashiqi, “ashtu siç nuk u kundërshtua që serbët të akuzoheshin për një gjenocid që nuk ka ndodhur, sot, në përvjetorin e aksionit kriminal ‘Stuhia’, qëndron i buzëqeshur pranë Kurtit”.
“Për të mençurin mjafton kaq, dihet kë përfaqëson Rashiqi, në asnjë mënyrë popullin serb”, porosisin nga Lista Serbe.
Ata shtojnë se për këtë arsye nuk është çudi që serbët nuk votuan për të në zgjedhjet e fundit, ndaj me votat e shqiptarëve, nga duart e popullit serb, ai “u detyrua të vidhte mandatin”.
“Prandaj sot ai sulmoi Listën Serbe, e cila lufton për të mbrojtur të drejtat e garantuara të popullit serb nga ai dhe padroni i tij Kurti, sepse pas politikës së tyre mbeten shtëpi serbe të shkatërruara, vende të shenjta serbe të rrezikuara, serbë në kazamate dhe largimi i serbëve nga vatrat e tyre shekullore”, thuhet në komunikatë.
Lista Serbe thekson gjithashtu se, ndryshe nga ai, ajo gjatë gjithë kohës lufton për popullin serb dhe ka qenë dhe do të jetë pranë çdo serbi të përndjekur dhe arrestuar padrejtësisht, siç theksojnë, pranë çdo kryefamiljari të ndershëm, sepse ndërsa serbët arrestoheshin pa të drejtë për avokat, ndaloheshin pa bazë dhe dënoheshin pa prova, askund nuk ishte Nenad Rashiqi për të pyetur se si janë këta njerëz dhe familjet e tyre, nga çfarë jetojnë, përse ndodhen në paraburgim dhe përse ndaj tyre zhvillohen procedura pa prova të vlefshme, e as përse u shkatërrohet prona.
Ata porosisin se, sikurse deri më tani, Lista Serbe do të vazhdojë të luftojë në të gjitha frontet – kur serbët arrestohen, kur shkatërrohen shtëpitë serbe, kur serbët keqtrajtohen në Gazimestan, kur shkelen ligjet dhe rrezikohet Kisha Ortodokse Serbe.
“Është detyra jonë të jemi pranë popullit tonë, pavarësisht faktit se ligji nuk respektohet dhe se të drejtat e popullit serb shkelen. Në të gjitha këto vende serbët e dinë se ne jemi me ta, por e dinë edhe se Rashiqi hesht. Lista Serbe mbetet konsekuente në politikën e saj të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të popullit serb dhe do të vazhdojë t’i kundërvihet çdo veprimi që rrezikon mbijetesën, sigurinë dhe dinjitetin e serbëve në Kosovë dhe Metohi, të vetëdijshëm se në këtë kohë okupimi duhet t’i ruajmë njerëzit dhe jetën në këto hapësira. Karrigen pranë Kurtit gjithsesi do ta ruajë Rashiqi”, përfundon komunikata.
Rashiqi sot mori pjesë në vizitën e kanalit të rikonstruktuar Ibër-Lepenc në qendër të Zubin Potokut, së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, ministren në detyrë të Planifikimit Hapësinor, Artane Rizvanolli, dhe drejtorin e kompanisë Ibër-Lepenc, Faruk Mujka.
0 komentet