Lista Serbe: Nuk do të shkojmë në zgjedhje derisa të formohet BKS dhe të tërhiqen njësitë speciale nga veriu
Delegacioni i Listës Serbe i kryesuar nga presidenti Goran Rakiq dhe nënkryetarët Dallibor Jevtiq dhe Igor Simiq kanë zhvilluar sot një takim me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Xhefri Hovenier, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Siç theksohet, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë shprehur qëndrim të qartë se “partia mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës e Metohisë deri sa të plotësohen kërkesat për të cilat u larguam nga institucionet e Kosovës, që është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës e Metohisë”.
Zgjedhjet në veri të Kosovës janë caktuar për më 23 prill pasi paraprakisht ishin paralajmëruar për 18 dhjetor të vitit të kaluar, të shtyra në momentin e fundit me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
0 komentet