Orlliq me Garibashvillin: Gjeorgjia nuk e ndryshon qëndrimin e saj për çështjen e Kosovës

Vladimir Orlić i Irakli Garibašvili
Burim: Narodna skupština Republike Srbije

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vlladimir Orlliq, në kuadër të vizitës zyrtare në Gjeorgji, ka takuar Kryeministrin Iraklli Garibashvilli, i cili ka thënë se qëndrimi i vendit ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë.

Siç njofton Kuvendi i Serbisë, Orlliq, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Gjeorgji me ftesë të Kryeparlamentarit Shallva Papuashvilli, ka biseduar me Kryeministrin Garibashvilli për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, intensifikimin e bashkëpunimit të përgjithshëm dhe integrimin evropian.

Duke folur për integrimin evropian të dy vendeve, Kryetari i Kuvendit të Serbisë tha se vendi ynë ka bërë progres praktikisht në të gjitha fushat që bien nën sundimin e ligjit dhe theksoi veçanërisht miratimin e një sërë ligjesh të reja gjyqësore, me të cilat përfundojnë reforma në këtë fushë që filloi me ndryshimin e Kushtetutës vitin e kaluar. Megjithatë, siç shtoi ai, çështja e integrimit evropian të Republikës së Serbisë mbetet shumë e rënduar nga dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Çdo ditë përballemi me lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, si dhe me refuzimin e pacipë të Albin Kurtit për të formuar përfundimisht, pas një dekade pritjeje, BKS-në. Ne kërkojmë që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen pa vonesë dhe të sigurohet siguria për popullin tonë në Kosovë e Metohi, sepse këto janë parakushte elementare për dialog të mëtejmë”, tha Orlliq.

Ai shtoi se njohjen për qëndrimin serioz dhe të përgjegjshëm ndaj dialogut të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot e shpallin hapur zyrtarë të BE-së dhe SHBA-së.

Kryeministri i Gjeorgjisë vuri në dukje se të dy vendet ndajnë të njëjtat pikëpamje dhe së bashku përfaqësojnë dhe respektojnë të drejtën ndërkombëtare publike.

“Qëndrimi ynë në lidhje me të ashtuquajturën “Kosova” dihet dhe nuk do të ndryshojë. Në këtë kuptim, ne i ofrojmë mbështetje të fortë Serbisë”, tha Garibashvilli.

Në takim morën pjesë edhe Nënkryetarja e Kuvendit Kombëtar dhe Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Ellvira Kovaç, dhe Kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Gjeorgjinë, Dubravka Fillipovski.