Lista Serbe paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme për mandatin e ndarë Rashiqit
Lista Serbe njoftoi se, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e refuzoi ankesën e saj, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme për shkak të faktit se një nga mandatet e rezervuara për komunitetin serb iu caktua Nenad Rashiqit në bazë të, siç deklarojnë ata, votave jo-serbe, kryesisht shqiptare.
Në komunikatën e saj, Lista Serbe thekson se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk e ka mohuar faktin se ky mandat është fituar me votat e komunitetit shqiptar dhe të komuniteteve të tjera joshumicë, por është marrë me çështjet e fshehtësisë së votimit dhe të drejtës së zgjedhjes, ndonëse, sipas tyre, këto nuk kanë qenë objekt i ankesës.
“Pyetja kyçe që ia kemi parashtruar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e që tani ia parashtrojmë edhe Gjykatës Supreme, është nëse në këtë mënyrë është cenuar e drejta kushtetuese e popullit serb për përfaqësim autentik, duke pasur parasysh se vendet e rezervuara janë kategori kushtetuese pikërisht për mbrojtjen e kësaj të drejte”, thuhet në komunikatë.
Lista Serbe vlerëson se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa “qartazi ka shmangur dhënien e një përgjigjeje për çështjen thelbësore” dhe shpreh pritjen që Gjykata Supreme të marrë një vendim të drejtë, të mbrojë të drejtat e popullit serb dhe të konfirmojë garancitë kushtetuese për përfaqësim autentik.
“Lista Serbe do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e popullit serb, edhe pse jemi të vetëdijshëm për të gjitha mangësitë dhe politizimin e këtij rasti, të cilat konfirmojnë edhe më tej dobësitë e sistemit të drejtësisë”, përfundon komunikata.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa disa ditë më parë i refuzoi të gjitha ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, përfshirë edhe ankesën e Listës Serbe, si dhe dy ankesat e Partisë së Re Demokratike, e cila kërkoi anulimin e votave që partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit kishte fituar në gjashtë fshatra të komunës së Prizrenit.
Kjo parti kishte deklaruar se, sipas të dhënave, në këto fshatra jetojnë 8.259 boshnjakë dhe gjashtë serbë, ndërsa partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë kishte fituar 203 vota.
0 komentet