Petkoviq: Lista Sërbe e ekspozuar nga presionet, e papërshtatshme të urohet Kurti ndërkohë që po vijon numërimi i votave
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi Petar Petkoviq tha se urimi i komisioneres europiane për zgjerim Marta Kos për Albin Kurtin është i papërshtatshëm prej shumë arsyesh, duke theksuar se problemet me të cilat u ndesh Lista Sërbe shkaktojnë rrezik që shqiptarët të marrin mundësinë që të vendosin për mandatet që janë të garantuara për komunitetin sërb.
“Duke uruar Albin Kurtin ndërkohë që vijon numërimi i votave është mjaft e pazakontë”, ka thënë Petkoviq në rrjetin “X“.
Ai tha se "procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe i rregullt" për të cilin urohet Kurti nuk egziston në realitet, nën vlerësimin se zgjedhjet ishin një tjetër demonstrim i inxhinierisë politike.
"Këto zgjedhje ishin një tjetër demonstrim i inxhinierisë të dukshme politike: Lista Sërbe ka qenë e ekspozuar nga presione të papranueshme dhe jodemokratike, ndërsa kundërkandidati i saj, Nenad Rashiq, sërish mori mbështetjen e zgjedhësve shqiptarë nën ndihmën aktive të Kurtit. Numri i votave të shqiptarëve dhënë Rashiqit u rrit drastikisht në raport me zgjedhjet e mëparshme, duke arritur në 2,257 vota në zonat ku nuk jetojnë sërbët", tha Petkoviq.
Sipas fjalëve të tij, nëse trend i tillë vazhdon, egziston rreziku që shqiptarët të vendosin për mandatet që u garantohen përfaqësuesve të popullit sërb.
"Nëse ky trend i marrjes së mandateve sërbe vazhdon, a do të thotë kjo se në të ardhmen e afërt shqiptarët do të vendosin për mandatet e garantuara përfaqësuesve të popullit sërb? Ky qëllim i politikës së Kurtit duhet të ndalet dhe jo të shpërblehet me urime speciale", tha Petkoviq.
Ky i fundit vlerësoi se njoftimi për bashkëpunimin e Unionit Europian me Kurtin në krijimin e stabilitetit politik, është absurd.
"Njoftimi se Unioni Evropian do të bashkëpunojë me Albin Kurtin për krijimin e stabilitet politik është absurd, sepse pikërisht ky është burimi i destabilitetit-jo vetëm në Kosovë e Metohi, por dhe në mbarë rajonin", tha Petkoviq.
Ai shtoi se pjesëmarrja e ulët në raport me zgjedhjet e mëparshme flet për proceset politike në Prishtinë.
"Fakti që në këto zgjedhje votuan afërsisht 200,000 njerëz më pak sesa në ato të mëparshmet flet vetë mjaftueshëm për proceset politike në Prishtinë", konkludoi Petkoviq.
Komisionerja europiane për zgjerim, Marta Kos, uroi kryeministrin kosovar në mandatin teknik dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin për fitoren në zgjedhje dhe u bëri thirrje forcave politike të gjejnë kompromise për të ndërtuar stabilitet institucional.
Pas saj dhe shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, tha se pas zgjedhjeve demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë, liderët politikë duhet të angazhohen konstruktivisht sesi të sigurojnë formimin e shpejtë të qeverisë, si dhe se përparimi në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës mbetet i domosdoshëm për përparimin e Kosovës në rrugën europiane.
0 komentet