Lista Serbe: Rrahja e Subotiqit konfirmon se Prishtina vazhdon me frikësimin dhe dhunën
Përdorimi i tepruar i forcës dhe tortura policore kanë qenë prej kohësh një dukuri e përditshme në veri të Kosovës dhe rrahja e Millosh Subotiqit në stacionin policor është vetëm konfirmim se Prishtina vazhdon me metodat e frikësimit dhe dhunës ndaj popullit serb, thekson Lista Serbe.
"Përdorimi i tepruar i forcës dhe tortura policore kanë qenë prej kohësh diçka e zakonshme në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe rrahja e mbrëmshme e Serbit nga Mitrovica e Kosovës, Millosh Subotiq, në stacionin policor konfirmon edhe një herë se Prishtina zbaton në mënyrë rutinore metodat gestapo të frikësimit dhe të dhunës. Është e qartë se aktet e dhunës dhe torturës ndaj serbëve kanë vetëm një qëllim - frikësimin në funksion të dëbimit dhe spastrimit etnik të pjesës veriore të krahinës”, thuhet në deklaratë.
Sipas partisë, Serbia do të vazhdojë të regjistrojë në mënyrë metodike të gjitha sulmet ndaj serbëve, në mënyrë që përgjegjësit të dënohen.
"Prania ndërkombëtare në Kosovë dhe Metohi është e obliguar që në përputhje me të drejtën dhe rregulloret ndërkombëtare që duhet të zbatohen në terren, të parandalojë torturimin e serbëve dhe shkeljen gjithnjë e më të hapur të të drejtave të njeriut të popullit tonë”, thuhet nga Lista Serbe.
Javën e ardhshme, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor të UNMIK-ut për situatën në Kosovë dhe Serbia do ta shfrytëzojë këtë rast për të tërhequr vëmendjen e publikut botëror për të gjitha format e dhunës fizike dhe ligjore kundër serbëve të kryera nga regjimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thonë nga Lista Serbe.
0 komentet