Lista Serbe: Të ndërpriten urgjentisht rrënimet dhe të mbrohen të drejtat pronësore të serbëve

MITROVICA
Burim: Srpska lista

Vazhdimi i rrënimeve të paligjshme të shtëpive dhe objekteve serbe ka për qëllim dëbimin e serbëve, njoftoi Lista Serbe lidhur me rrënimin e sotëm të objekteve në fshatin Rezallë, në Liqenin e Gazivodës, duke shtuar se, kur përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nuk reagojnë ndaj veprimeve të tilla, pavarësisht rasteve të shumta në të cilat serbët dhe prona e tyre u janë ekspozuar masave të njëanshme të autoriteteve të Prishtinës, një heshtje e tillë nuk mund të konsiderohet më si neutralitet.

„Sipas informacioneve nga terreni, mëngjesin e sotëm ka vazhduar rrënimi i kundërligjshëm i pronës serbe në komunën e Zubin Potokut, në Liqenin e Gazivodës, ndërsa ndër të parat është rrënuar salla e fshatit e Trinisë së Shenjtë në Rezallë, të cilën banorët për dekada e kanë përdorur për tubime dhe kremtime. Sipas Policisë së Kosovës, e cila po asiston në rrënimin e paligjshëm, gjatë ditës së sotme është planifikuar rrënimi i gjithsej gjashtë objekteve“, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Siç theksohet, ky nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i rrënimeve të paligjshme të shtëpive dhe objekteve serbe me qëllim të dëbimit të serbëve.

„Deri më tani, në këtë zonë janë rrënuar 17 objekte. Në këtë moment nuk dihet se çfarë meriton dënim më të madh: shkelja e rregullave dhe dëbimi që po zbatojnë institucionet e Kosovës apo heshtja e turpshme e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët vazhdimisht mbeten të heshtur përballë veprimeve me të cilat cenohen të drejtat pronësore, të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtat kolektive të popullit serb“, theksuan nga Lista Serbe.

Siç theksojnë, populli serb me të drejtë e percepton mosreagimin e bashkësisë ndërkombëtare si mbështetje të hapur për politikën e cenimit të të drejtave, mbijetesës dhe pronës së tij.

„Kur përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nuk reagojnë ndaj veprimeve të tilla, pavarësisht rasteve të shumta në të cilat serbët dhe prona e tyre u janë ekspozuar masave të njëanshme të autoriteteve të Prishtinës, një heshtje e tillë nuk mund të konsiderohet më si neutralitet. Populli serb me të drejtë e percepton atë si mbështetje të hapur për politikën e cenimit të të drejtave, mbijetesës dhe pronës së tij. Është e papranueshme që standardet e sundimit të ligjit, mbrojtjes së pronës private dhe të drejtave të njeriut të zbatohen në mënyrë selektive dhe të vlejnë për të gjithë, përveç serbëve“, theksojnë nga Lista Serbe.

Ata shtojnë se përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë obligim të reagojnë qartë dhe pa mëdyshje dhe të parandalojnë veprimet e mëtejshme të njëanshme, të cilat, sipas vlerësimit të tyre, thellojnë pasigurinë dhe frikën në mesin e popullsisë serbe.

„Lista Serbe kërkon ndërprerjen urgjente të të gjitha rrënimeve të mëtejshme, mbrojtjen e plotë të të drejtave pronësore të qytetarëve dhe një reagim të qartë të misioneve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Metohi. Heshtja përballë padrejtësisë nuk është neutralitet. Heshtja përballë shkeljes së të drejtave të popullit serb përbën mbështetje për ata që i cenojnë këto të drejta“, porosisin nga Lista Serbe.

Në fshatin Rezallë, që ndodhet në Liqenin e Gazivodës, në territorin e komunës së Zubin Potokut, mëngjesin e sotëm ka nisur rrënimi i objekteve, të cilave në fund të gushtit u kishte skaduar afati për largim i caktuar nga Ndërmarrja Publike „Ibër-Lepenc“.

Gjithashtu, përfaqësuesit e ndërmarrjes „Trepça“ kanë hyrë sot paradite në objektet në Zveçan, në të cilat rreth njëzet ditë më parë kishin vendosur njoftime me të cilat kërkohej lirimi i objekteve, pasi, sipas tyre, ato janë pronë e kësaj kompanie.