Zyra për KeM: Veprimet e Prishtinës në Zubin Potok dhe Zveçan tregojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të kalojë nga fjalët në vepra

kancelarija za kim baner
Burim: Kosovo Online

Zyra për Kosovë dhe Metohi theksoi se rrënimi i objekteve në fshatin Rezallë në Liqenin e Gazivodës dhe marrja e objekteve në Zveçan tregojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të kalojë nga fjalët në vepra dhe të ndërmarrë hapa konkretë, në mënyrë që, siç theksojnë nga Zyra për KeM, të ndalë shkeljen e ligjit, veprimet e dhunshme dhe terrorin e Prishtinës.

„Prishtina sot vazhdoi rrënimin e kundërligjshëm dhe të dhunshëm të pronës serbe në Liqenin e Gazivodës, në komunën e Zubin Potokut, të cilën banorët e kishin ndërtuar dhe fituar gjatë dekadave. Në të njëjtën kohë, në Zveçan janë marrë në mënyrë të kundërligjshme objekte nën arsyetimin se janë pronë e ndërmarrjes Trepça“, thuhet në njoftimin e Zyrës për KeM.

Ata theksuan se vetëm një reagim konkret i bashkësisë ndërkombëtare është mënyra për t’i dhënë fund cenimit të të drejtave të serbëve.

„Këto veprime në Zubin Potok, por edhe në Zveçan, tregojnë se bashkësia ndërkombëtare, e cila gjatë periudhës së kaluar gjoja i ka ‘dënuar ashpër’ veprimet e tilla të njëanshme të autoriteteve të Albin Kurtit, duhet të kalojë nga fjalët në vepra dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të ndalur veprimet e dhunshme dhe terrorin e Prishtinës, si dhe shkeljen e ligjit, sepse kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund veprimeve arrogante dhe arbitrare dhe cenimit të të drejtave të serbëve“, thuhet në njoftim.

Ata shtojnë se deklaratat e përfaqësuesve ndërkombëtarë deri më tani nuk kanë dhënë rezultate dhe se kjo tregon ose se nuk ekziston vendosmëria e vërtetë për ta ndalur Prishtinën, ose se kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, gëzon mbështetje për veprimet e tij.

„Për shkeljen e të drejtave të serbëve flet edhe fakti se mediave që dëshirojnë të raportojnë për këtë veprim të ri përshkallëzues të Prishtinës pranë Liqenit të Gazivodës u është pamundësuar të xhirojnë rrënimin e objekteve serbe, sepse e gjithë rruga e hyrjes është bllokuar nga e ashtuquajtura Polici e Kosovës, e cila ka vendosur automjete të blinduara pranë hyrjes për në fshat“, thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovën dhe Metohinë.

Sipas tyre, veprimet e paligjshme të autoriteteve të Albin Kurtit nuk mund të fshihen.

Zyra për Kosovë dhe Metohi njoftoi se për të gjitha këto do t’i informojë sërish të gjithë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë, ndërsa përfaqësuesit e saj në terren, së bashku me Listën Serbe, mbeten në kontakt me familjet e prekura dhe do të gjejnë mënyrën për t’i ndihmuar ato.

Në fshatin Rezallë, që ndodhet në Liqenin e Gazivodës, në territorin e komunës së Zubin Potokut, mëngjesin e sotëm ka nisur rrënimi i objekteve, të cilave në fund të gushtit u kishte skaduar afati për largim i caktuar nga Ndërmarrja Publike „Ibër-Lepenc“.

Gjithashtu, përfaqësuesit e ndërmarrjes „Trepça“ kanë hyrë sot paradite në objektet në Zveçan, në të cilat rreth njëzet ditë më parë kishin vendosur njoftime me të cilat kërkohej lirimi i objekteve, pasi, sipas tyre, ato janë pronë e kësaj kompanie.