Lista Sërbe: Vendimi ndaj Todosijeviqit është provë se sërbët në Kosovë jetojnë nën apartejd
Lista Sërbe deklaron se vendimi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë ku dënon Ivan Todosijeviqin me një vit burg për deklarata publike-është i turpshëm, joligjor, antisërb dhe provë që tregon në çfarë kushtesh e në kufijtë e apartejdit, jetojnë sërbët në Kosovë e Metohi, nën kujdesin e rregjimit të Albin Kurtit.
"E ndërsa komuniteti ndërkombëtar hesht, Prishtina në shekullin e XXI ndërmerr një akt kundër një deklarate verbale, natyrisht ndaj një sërbi, sepse është sërb. Natyrisht, për mijëra fyerje të rënda dhe kërcënime ku sërbët në këto troje dëgjojnë përditë, në rrugë, nga mediat dhe institucionet publike dhe nga drejtues të institucioneve të Kosovës që e shpallin popullin sërb si të kriminalizuar, vrasës, përdhunues, njerëz gjenocidues, nuk ka asnjë proces gjyqësor, e as dënim sepse sulmi ndaj sërbëve në Kosovë e Metohi siç duket është i lejuar”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se trupa mbrojtëse e Todosijeviqit ka bërë punën e vet me shumë profesionalizëm për të treguar se liria e shprehjes dhe mendimit është e garantuar për të gjithë, përfshirë edhe vetë atë, por që padyshim ky është një proces politik në të cilin ligji dhe drejtësia, nuk kanë asnjë shans për të fituar.
"Fakti që vendimi u publikua në media dhe nuk i’u vendos në dispozicion as avokatëve dhe as zotit Todosijeviq, flet qartë se ky vendim ka si qëllim frikësimin e popullit sërb dhe përcjelljen e mesazhit tek të gjithë ata që të heshtin e vuajnë”, thuhet në deklaratën e Listës Sërbe.
Kjo e fundit ka kërkuar prej bashkësisë ndërkombëtare e mbi të gjitha nga Bashkimi Europian, ambasadave të vendeve të Pesëshes, OSBE, EULEKS dhe UNMIK, të reagojnë urgjentisht dhe të denoncojnë shkeljen e të drejtave të popullit sërb dhe të Ivan Todosijeviqit.
"Detyra e tyre është të sigurojnë respektimin e të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë respektimin e sundimit të ligjit dhe përgjegjësia e tyre është edhe më e madhe të reagojnë dhe ndalojnë këtë linçim të motivuar politikisht ndaj të cilit është i ekspozuar miku dhe kolegu ynë, Ivan Todosijeviq” thuhet në deklaratë.
komentet