Petkoviq: Vendimi ndaj Todosijeviqit veprim i paparë i Prishtinës

Petar Petković
Burim: Prt. Scr.

Aktgjykimi i fundit kundër Ivan Todosijeviqit, për shkak të fjalës së folur, është tregues i drejtpërdrejtë i fytyrës autokratike, jodemokratike dhe antiserbe të pushtetit aktual në Prishtinë, ka thënë në një deklaratë drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq.

Petkoviq theksoi se Todosijeviq u dënua për shkak se ai është nikoqir serb, me origjinë serbe, emër e mbiemër, i cili pavarësisht torturave që po kalon ai dhe familja e tij, nuk dëshiron të largohet nga vatra e tij.

“Dhe ky aktgjykim i Gjykatës së Apelit, në gjykimin e përsëritur, është bërë në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, e cila përcakton se përbërja e trupit gjykues për lëndët që vijnë nga zonat serbe duhet të jetë me shumicë serbe. Fakti që as Todosijeviq dhe as avokati i tij nuk janë njoftuar zyrtarisht për aktgjykimin, por mediat në Prishtinë janë njoftuar, tregon se i gjithë procesi është një farsë e llogaritur për të gjykuar serbët pa të drejta dhe drejtësi me qëllim të stigmatizimit të tyre në opinion”, thuhet në deklaratën e drejtorit të Zyrës për Kosovë dhe Metohi.

Petkoviq thotë se “avokati i punësuar nga Zyra për Kosovë dhe Metohi do të vazhdojë luftën për drejtësi për Ivan Todosijeviqin dhe do të shfrytëzojë mundësinë e mjetit të jashtëzakonshëm juridik dhe mbrojtjen e ligjshmërisë”.

“Gjithashtu, Zyra për Kosovë dhe Metohi ka njoftuar zyrtarisht Brukselin dhe Miroslav Lajçakun për këtë veprim të egër të Prishtinës, duke kërkuar respektimin e plotë të pikës 10 të Marrëveshjes së Brukselit, e cila i referohet mënyrës së gjykimit në rastet që vijnë nga komunitetet serbe, si dhe për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe mendimit në rastin e Todosijeviqit, të cilat janë prijëse të trashigimive civilizuese dhe evropiane kudo në botë, por vetëm jo në Kosovë e Metohi”, thuhet në njoftim.