Lista Serbe: Vizita e Kurtit në veri ka për qëllim destabilizimin dhe shkaktimin e tensioneve
Lista Serbe bëri të ditur se vizita e sotme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në veri të Kosovës, ka për qëllim destabilizimin e situatës në terren dhe shkaktimin e tensioneve.
“Parakalimi i Albin Kurtit me dhjetëra automjete dhe njëqind forca speciale shqiptare të armatosur deri në dhëmbë në veri të Kosovës dhe Metohisë shqetësoi serbët në Kosovë e Metohi të cilët e ndoqën me neveri këtë shfaqje. Ardhja e Kurtit në veri me formacione parapolicie ka për qëllim destabilizimin e situatës në terren dhe tensionim. Është më se e qartë se me ardhjen e tij ka dashur të provokojë reagimin e popullit serb dhe të paraqitet si viktimë për të fituar edhe disa pikë politike apo vota për zgjedhjet e ardhshme”, thonë nga Lista Serbe.
Ata theksojnë se presin që organizata kompetente ndërkombëtare të reagojë ndaj, siç thonë ata, provokim.
“Pas kësaj shfaqje cirku, Kurti dukshëm i frikësuar, si gjithë pushtuesit, u kthye prapa dhe ne qëndruam në veri të Kosovës dhe Metohisë sepse ky është vendi ynë, qytetet dhe komunat tona. Presim që shërbimet kompetente të dezinfektojnë rrugët ku ai ka ecur dhe në këtë mënyrë të mbrojnë shëndetin e qytetarëve tanë. Kërkojmë që organizatat kompetente ndërkombëtare të reagojnë ndaj këtij provokimi të dukshëm dhe të kërkojnë nga të preferuarit e tyre që të ndalojë shtypjen e popullit serb, i cili kësaj radhe tregoi vetëpërmbajtje dhe durim të jashtëzakonshëm”, thuhet në deklaratë.
komentet