Lluçiq: Pas vendimit për të na mbyllur, u rikthyem si fitimtarë dhe po zgjerohemi në tërë Kosovën
Drejtori i përgjithshëm i Telekom Serbisë, Vlladimir Lluçiq, ka theksuar se pas vendimit të qeverisë së Albin Kurtit për mbylljen e kësaj kompanie, ka qenë në situatë që të zgjerohet në të gjithë territorin e Kosovës.
"Një nga fitoret më të dashura për mua është që arritëm të mbrohemi nga përpjekjet e regjimit të Kurtit për të na mbyllur në Kosovë. Pas mbrojtjes së kompanisë sonë, erdhi kundërsulmi dhe tani po përpiqemi të zgjidhim problemin e fundit – marrjen e licencës për 5G, sepse regjimi i Kurtit, fshehurazi, po përpiqet të ndajë licencën vetëm për operatorët e tij, pa ne," shpjegoi Lluçiq për RTS.
Ai kujtoi se kishte qenë në Uashington dhe kishte kërkuar respektimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, me qëllim që Telekomi i Serbisë në Kosovë të marrë licencën për të operuar në të gjithë territorin e Kosovës.
"Mendoj se do të arrijmë në këtë pas zgjedhjeve. Pas përpjekjes për të na shuar, ne do të zgjerohemi si fitimtarë në tërë territorin e Kosovës dhe Metohisë," është i bindur Lluçiq.
Ai ka shtuar se Kurti ka tentuar ta parandalojë duke ditur që Telekom Serbia është më i përshtatshmi dhe më i miri, kështu që të gjithë do të kalonin në atë rrjet.
I pyetur për pritjet e tij nga presidenti i ri amerikan Donald Trump, Lluçiq tha se Telekomi ka pasur bashkëpunim të mirë me administratën aktuale dhe se pret që kjo e re t'i japë ndihmë shtesë.
“Shpresoj që pas zgjedhjeve në Kosovë të ulet forca e administratës së Kurtit. Ne thjesht kërkojmë një ndeshje të drejtë dhe le të vendosë njerëzit se cilin rrjet të duan”, tha ai.
0 komentet