LS: Hipokrizia e Rashiqit, kurrë nuk ka ngritur zërin kundër veprimeve antisërbe ndërsa tani na kritikon
Pas ftesës së liderit të Partisë Për Liri, Drejtësi dhe Egzistencë Nenad Rashiq për Listën Sërbe që të “marrë përgjegjësinë” dhe “aktivisht” të përfshihet në bërjen e “propozimeve të përbashkëta” për Ligjin e të Huajve dhe Ligjin e Automjeteve, nga Lista Sërbe thuhet se sjellja e tij është hipokrite, pasi kurrë nuk e ka çuar zërin ndaj veprimeve në Prishtinë ndërsa tani kritikon Listën Sërbe e cila prej muajsh lufton për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga zbatimi i ligjeve të dëmshme.
“Për deklaratën e Nenad Rashiqit për zbatimin e ligjit për të huajt dhe vendimit për automjetet, Lista Sërbe e konsideron të domosdoshme t’i tregojë qartë publikut hipokrizinë dhe pandershmërinë politike të njeriut që prej vitesh pa asnjë legjitimitet dhe mbështetje nga populli sërb, asiston në qeverinë e Albin Kurtit dhe voton për të gjitha masat që drejtohen direkt kundër sërbëve në Kosovë e Metohi”, thuhet në deklaratë.
Shtohet se Rashiq kurrë nuk e ngriti zërin ndaj lëvizjeve të shumta antisërbe të regjimit në Prishtinë-prej mbylljes së institucioneve sërbe, përmes dhunës institucionale, e deri tek arrestimi dhe persekutimi i bashkatdhetarëve tanë.
“Përkundrazi, gjatë gjithë asaj kohe, ka luajtur maskotën politike, vëzhgues i heshtur dhe besnik i pushtetit që sistematikisht kërcënon të drejtat e popullit sërb”, shtohet në njoftim.
Sot, konstatojnë, Rashiq tenton të kritikojë Listën Sërbe, e cila, sikurse thonë, prej muajsh ka luftuar seriozisht dhe me përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara prej zbatimit të ligjeve të dëmshme, përfshirë ligjin për të huajt dhe vendimet për automjetet.
Lista Sërbe kujton se për këtë çështje ka mbajtur më shumë se dhjetëra takime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe pikërisht falë këtyre përpjekjeve, nën mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, arriti të vonojë zbatimin e ligjit deri në gjetjen e zgjidhjeve konkrete e të qëndrueshme.
Shtojnë se me iniciativën e Listës Sërbe, përfaqësuesit ndërkombëtarë morën vendimin të formojnë dhe ekip të posaçëm ekspertësh që të merret me zgjidhjen e këtij problemi çka tregon qartë se kush po lufton vërtet dhe vazhdimisht për interesat e popullit sërb.
“Me sjelljen e tij, Nenad Rashiq edhe një herë ka treguar se për të sërbët dhe problemet e tyre nuk kanë interes. Si njeri që me votat e shqiptarëve vodhi mandatin e popullit sërb dhe vendin e ministrit, ishte dhe mbetet shërbëtor i zakonshëm i regjimit të Albin Kurtit. Me këtë njeri Lista Sërbe nuk dëshiron dhe nuk do të ketë çfarëdolloj kontakti, sepse kjo do të thoshte tradhti ndaj 43,000 sërbëve që, pavarësisht gjithë presionit dhe fushatës së mentorit të Rashiqit, dhanë votën e tyre Listës Sërbe”, është mesazhi i kësaj të fundit.
Partia bën të ditur se mbetet konsistente në mbrojtjen e interesave të popullit sërb dhe se nuk do të lejojë që “ata që prej vitesh injoruan dhe tradhtuan atë, sot të luajnë mbrojtës të tij”.
“Nuk e kemi harruar që Rashiq mbështeti që sërbëve t’u merrej trualli në Lleposaviq dhe Zubin Potok, nuk kundërshtoi shpalljen e sërbëve si genocidistë apo që nuk ndihmoi kurrë asnjë familje anëtarët e së cilës u burgosën pa baza. Si i tillë, kurrë nuk do të jetë i denjë të bisedojë me Listën Sërbe”, shtohet në deklaratë.
0 komentet