Makron: Jemi të shqetësuar për lëvizjet e njëanshme të Kosovës, të cilat nuk dërgojnë sinjal të mirë
Presidenti francez Emanuel Makron tha mbrëmë se Parisi është i shqetësuar për lëvizjet e njëanshme të Kosovës, të cilat, siç theksoi, nuk dërgojnë një sinjal të mirë, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të monitorojë nga afër kushtet në të cilat jetojnë serbët në Kosovë dhe mbetet e përkushtuar për formimin e BKS-së.
Makron, në një fjalim të përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është pjesë integrale e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian, i cili u diskutua shumë në disa kryeqytete të Evropës.
Ai theksoi se çështja nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje.
Në këtë kuptim, ai përgëzoi autoritetet serbe për vendimet e marra në fund të vitit të kaluar, për të filluar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Me partnerët tanë evropianë kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për lëvizjet e njëanshme të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë. Të jeni të sigurt se Franca do të vazhdojë të monitorojë me shumë kujdes kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë. Në këtë kuptim, jemi veçanërisht të përkushtuar për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”, tha Makron.
Ai shtoi se mesazhi i tij kryesor sot është mesazhi për vendosmëri dhe besimi.
“Do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e ndërmjetësimit evropian, në mënyrë që të arrijmë progres në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është vendimtare për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe kështu marrëdhëniet tuaja me të gjithë partnerët do të përmirësohen, do të kemi lëvizje të lirë dhe një jetë plot ngjyra për të gjithë qytetarët”, tha Makron.
0 komentet