Marfi: Kurti e dinte se marrja e ndërtesave komunale do ta prishte dialogun, dhe gjithsesi e bëri

Kris Marfi
Burim: Radio Slobodna Evropa

Senatori amerikan Kris Marfi tha për “National Journal” se pengesa më e madhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është këmbëngulja e autoriteteve të Prishtinës për veprime të njëanshme. Ai ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e dinte saktësisht se çfarë do të ndodhte nëse i dërgonte kryetarët e komunave për të marrë ndërtesat komunale në veri dhe se do ta prishte dialogun, por gjithsesi e bëri.

I shoqëruar nga senatori Geri Piters, anëtar i Komitetit për Forcat të Armatosura, kujton “National Journal”, Marfi udhëtoi në Kosovë dhe Serbi disa ditë para se të shpërthente dhuna në qytetet me shumicë serbe. Ata u takuan me udhëheqës nga i gjithë rajoni.

Marfi, i cili u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti më 22 maj, u pajtua me Sekretarin e Shtetit Entoni Blinken se situata në veri mund të ishte zgjidhur me diplomaci dhe jo me forcë.

“Ai nuk duhej të merrte një vendim kaq shpejt për të marrë ndërtesat komunale”, tha Marfi, duke iu referuar vendimit të Kurtit për të hyrë në qytetet me shumicë serbe dhe për të pushtuar ndërtesat komunale.

"Ai mund të ishte përpjekur ta zgjidhte atë përmes një ndërmjetësi si SHBA", tha Marfi.

Marfi vlerëson se procesi i normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës shpesh duket si “një hap përpara dhe dy hapa prapa”.

"Tani për tani, pengesa më e madhe është këmbëngulja e autoriteteve të Prishtinës për veprime të njëanshme. Ajo që ndodhi gjatë fundjavës ishte e papranueshme. Kurti e dinte saktësisht se çfarë do të ndodhte nëse i dërgonte këta kryetarë komunash për të marrë ndërtesat komunale. Ai e dinte se kjo do të prishte dialogun, dhe ai e bëri atë gjithsesi", tha Marfi.

Marfi shprehet se shpreson që kur të qetësohet situata në veri të Kosovës, vëmendja sërish do të përqendrohet në rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ai tha se lidershipi i Prishtinës duhet të krijojë komuna vetëqeverisëse serbe, çka popullata serbe në Kosovë po kërkon. 

"Ekziston një parakusht për paqe të qëndrueshme nëse kemi sukses në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit", tha Marfi.

Marfi tha gjithashtu se SHBA mund të fillojë të rishikojë ndihmën e saj të sigurisë për Prishtinën nëse nuk ka përparim.

"Mendoj se askush nga ne nuk mund ta kuptojë se çfarë kaloi Albin Kurti. Ai kaloi një periudhë të gjatë të jetës së tij në burg. Ai padyshim erdhi në pushtet si dikush që mbajti një qëndrim mjaft të ashpër gjatë gjithë karrierës së tij politike dhe u zgjodh në këtë bazë”, tha Marfi dhe shtoi se është ende ndryshe kur i shikon gjërat nga ana dhe kur je kryeministër.

"Është ndryshe kur je organizator i jashtëm në krahasim me kohën kur je kryeministër. Nëse qeveria në Prishtinë dëshiron të luftojë, ne si Kongres duhet të marrim një vendim nëse jemi plotësisht të gatshëm për këtë". vuri në dukje Marfi.

Ai gjithashtu deklaroi se Rusia po përpiqet të nxisë ndarjet dhe konfliktet në Ballkan.

"Rusia po luan lojëra në Ballkan. Ata po përpiqen të nxisin ndarje dhe konflikt. Ata shpresojnë se do të ketë një konflikt në Ballkan që do të largonte SHBA-në dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë", Marfi, anëtar i Komiteti për Punët e Jashtme, i tha për “National Journal”, pas kthimit të tij në Uashington.

 Ai shtoi se nevojitet një përfshirje më e madhe e SHBA-së në Ballkan.

"Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të ruajtur paqen, sepse tani nuk mund të përballojmë me shuarjen e zjarreve në atë rajon", shtoi Marfi.