Maskoli: Çelja e urës mbi Ibër ekskluzivisht përmes dialogut dhe koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare
Vendimi për çeljen e urës mbi Ibër në Mitrovicë për automjetet, duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim efektiv të plotë në kohë me bashkësinë ndërkombëtare, ka thënë zëdhënësi i Kfor Salvatore Maskoli.
"Misioni i Kfor që udhëheq Nato është tërësisht i fokusuar në ushtrimin e mandatit të vet të KB të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara prej vitit 1999 dhe kontribuon për mjedis të sigurt përreth për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo moment dhe të pandërprerë" ka thënë ai në deklaratë dhënë për mediat.
Për çështjen e çeljes së mundshme të urës mbi lumin Ibër, ai tha se qëndrimi i Kfor ka qenë transparent dhe konsistent përgjatë gjithë kohës.
"Çdo vendim në këtë këndvështrim mund të merret përmes dialogut në kohë dhe me koordinim efektiv me bashkësinë ndërkombëtare. Ndërkohë Kfor do të mbajë prezencën e saj të përhershme në urë dhe do të vijojë të ndërmarrë patrullime të rregullta në zonat përreth” ka thënë zëdhënësi i Kfor.
Ky i fundit kujtoi se pjestarët e Kfor së fundi në urë kanë ushtruar stërvitje.
"Kjo ka qenë pjesë e aktiviteteve tona të rregullta për të testuar procedurat operative shumëvjeçare dhe të ruajë standartin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona" ka thënë Maskoli dhe shtoi se Kfor vijon të ndjekë situatën.
"Jemi në pozitë të mirë për t’u përgjigjur ndaj çdo skenari sigurie dhe të vazhdojmë me efikasitet të ushtrojmë mandatin tonë të KB", nënvizoi ai.
komentet