Mbi murale me imazhin e Novak Gjokoviq në Rahovec mbishkrimet "UČK"
Një mural kushtuar tenistit më të mirë të botës Novak Gjokoviq në Rahovec është shkatërruar gjatë natës, pasi ai ka dërguar mesazhin "Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën" pas fitores në raundin e parë të Roland Garros, transmeton Radio Gorazhdevac.
Banorët e pjesës së epërme të Rahovecit e kanë gjetur muralin e shkatërruar rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm.
Mbi muralin ishte shkruar grafiti “UÇK”, dhe me të njëjtat mbishkrime ishin pikturuar muret e ndërtesave në rrugët përreth.
Pikturimi i muralit të Novak Gjokoviqit në pjesën e sipërme të Rahovecit është pjesë e projektit "Ngjyra në ajër", të cilin e ka realizuar organizata "Amici Di Deçani", në bashkëpunim me artistin Deroks, i cili në fillim të vitit të kaluar ka pikturuar murale në vendet me popullsi serbe në Kosovë sipas dëshirës dhe në marrëveshje me nikoqirët.
Banorët e Rahovecit kanë thënë më parë për Radio Gorazhdevac se e shohin Novakun si heroin e tyre.
“Askund në botë nuk e shajnë më shumë se këtu kur gabon dhe askush në botë nuk gëzon çdo pikë të fituar me aq zemër sa ne”, tha në atë kohë një nga vendasit për Radio Gorazhdevac.
Vëzhguesit e mbledhur pas pikturimit kanë komentuar gjithashtu se nuk besojnë se murali do të qëndrojë për një kohë të gjatë aty dhe se kanë frikë se do të shkatërrohet gjatë natës.
Murali është dëmtuar një herë më parë, kur është spërkatur me bojë, por banorët e kanë pastruar të nesërmen.
0 komentet