Miliqeviq: Mentorët perëndimorë të shqiptarëve heshtin ndaj aspiratave për krijimin e Shqipërisë së Madhe
Ministri pa portofol në qeverinë e Sërbisë i ngarkuar për marrëdhëniet me diasporën Gjorgje Miliqeviq, ka thënë se "Kosova sot është më pak e pavarur", sesa çka qenë në 2008 kur parlamenti kosovar shpalli deklaratën e pavarësisë, transmeton RTV.
"Kjo është ajo që u dhemb më shumë dhe për këtë arsye po merren sesi të spastrojnë etnikisht Kosovën e Metohinë. Kjo është e vetmja demokraci që kanë të bazuar në shkaktimin e incidenteve ndaj sërbëve, shkatërrimin e kulturës dhe trashëgimisë sërbe, kishave dhe varrezave me qëllim, fshirjen e çdo gjurme të ekzistencës së popullit sërb në hapësirën e Kosmetit", nënvizon Miliqeviq.
Ky i fundit nënvizon se veçanërisht me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, numri i incidenteve gjithmonë e më shumë kanë qenë brutale deri tek ai i ndodhur në Shtërpcë kur fëmija një natë para Krishtlindjes u sulmua nga efektivi i Forcave të Sigurisë së Kosovës ku siç nënvizon Miliqeviq, "ka qenë më shumë akt terrorist, sesa incident".
Ministri Miliqeviq vuri në dukje me këtë rast se praktika e Prishtinës është intensifikimi i akteve kundër sërbëve në festat fetare ortodokse me qëllim shkaktimin e frikës tek ta.
"Veç kësaj dikush nga mentorët e tyre të huaj, e shpallin Kosovën si demokratike, pasi për ta demokracia është e bazuar në shkeljen e të drejtave themelore", thotë Miliqeviq.
Me këtë rast Miliqeviq rrëfen ndalimin e sërbëve për të votuar në zgjedhjet republikane, sulmet ndaj të rinjve, por edhe dëshirën për të krijuar një Shqipërinë e Madhe.
"Ndaj kujt heshtin mentorët perëndimorë edhe pse janë të vetëdijshëm për aspiratat e tyre, ashtu sikurse dhe Edi Rama ëndërron bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare në Ballkan. Ajo që flet më së miri për pavarësinë e tyre dhe listat e vendeve që e njohin, është fakti se me ardhjen e qeverisë së re në Sërbi në vitin 2012, në vend që të përfitonin njohje të reja, morën 24 tërheqje të njohjeve", kujton Miliqeviq duke shtuar se ky është fakt edhe për opozitarët që sulmojnë mazhorancën qeverisëse se kjo e fundit tradhtoi çështjen e Kosovës.
Miliqeviq shprehet se të gjithë duhet të dinë se pa Sërbinë nuk do të ketë asnjë marrëveshje dhe për të ardhur tek ajo, fillimisht duhet të zgjidhin çështjen e marrëdhënieve ndaj sërbëve në Kosovë.
Gjithashtu, siç thotë ai, është e nevojshme që të ndërpritet praktika e incidenteve dhe dëbimit të sërbëve, për të filluar me zbatimin e të gjithave që janë dakordësuar më herët.
Duhet të zgjidhet çështja e kadastrës, pronave të KOS dhe pronave të sërbëve në Kosovë, pasi pa eleminimin e të gjithë këtyre problemeve, Miliqeviq paralajmëron se çdo bisedim rreth zbatimit të ndonjë propozimi të ri franko-gjerman apo ndonjë propozimi tjetër, është veçse trillim.
"Sërbia gjithmonë do të vazhdojë të bisedojë, pasi presidenti Aleksandar Vuçiq gjithmonë është për dialog dhe Sërbia është njëkohësisht e gatshme për zgjidhje me kompromis, por vetëm ato zgjidhje që bazohen tek drejtësia, jo sepse disa dëshirojnë që njëra palë të marrë gjithçka e tjetra të mbetet pa asgjë", ka përmbyllur Miliqeviq.
komentet