Millenkoviq: Pres një reagim më konkret nga KFOR-i, qytetarët në veri duan që ura të mbetet e mbyllur

Marko Milenković
Burim: Kosovo Online

Marko Millenkoviq nga OJQ-ja “Iniciativa e Re Sociale” thotë se pret që KFOR-i të ndalojë hapjen e urës kryesore së Ibrit nëse Qeveria e Kosovës në mënyrë të njëanshme merr një vendim të tillë dhe se kjo nuk ndodh në javët e ardhshme. Siç shton ai, këtë herë pret një reagim më konkret nga KFOR-i dhe që misioni ta përmbushë mandatin e tij duke siguruar një mjedis të sigurt, para së gjithash për qytetarët në veri, por edhe për të tjerët.

Nëse ura hapet, Millenkoviq thekson se kjo do të ndodhë me kundërshtim të qartë nga qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës, jo vetëm serb, por edhe nacionalitete të tjera dhe me kundërshtimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Deri më tani nuk kemi pasur reagime konkrete nga bashkësia ndërkombëtare, kur janë bërë lëvizje të njëanshme, nuk ka pasur asnjë reagim konkret nga KFOR-i në terren. Këtë herë pres një reagim më konkret nga KFOR-i, për të siguruar që ura të mbetet e mbyllur, gjë që garantohet kryesisht përmes dialogut, dhe dëgjuam se bashkësia ndërkombëtare po bën thirrje që dialogu të vazhdojë dhe ura të hapet përmes dialogut. Pres që KFOR-i të mbrojë dialogun dhe pikëpamjet e partnerëve ndërkombëtarë, të qëndrojë në urë dhe të sigurojë që ajo të mos jetë e hapur. Inkurajues është fakti që KFOR-i është ende në urë, se ka qenë në urë ditën kur janë bërë testet dhe se numri i automjeteve të tyre është rritur”, thotë Millenkoviq.

Ai kujton apelet e qytetarëve për këtë çështje, gjegjësisht protestën e mbajtur nga serbët, e më pas letrën e më shumë se 400 grave me kundërshtim të qartë për hapjen e urës, e cila dje iu dorëzua përfaqësuesve të KFOR-it.

“Pra, serbët dhe komunitetet tjera që jetojnë në veri e kanë bërë të qartë se në këtë moment nuk duan që ura të jetë e hapur, se ajo sjell shqetësime shtesë për sigurinë dhe se kjo çështje shikohet në radhë të parë nga aspekti i sigurisë. Duke parë nga Prishtina, është një akt politik që lidhet me fushatën para zgjedhjeve të ardhshme. Ende nuk kemi një qëndrim të qartë të kryetarit të Mitrovicës së Jugut për hapjen e urës, por Vetëvendosja është këmbëngulëse për ta bërë këtë dhe për të fituar pikë shtesë në zgjedhje përmes saj”, thotë Millenkoviq.