Ministria e Kulturës e Serbisë: Aksioni i Policisë së Kosovës vazhdim i përpjekjeve për vjedhjen e trashëgimisë kulturore serbe
Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë dënoi ashpër hyrjen e djeshme të Policisë së Kosovës në objektin e Muzeut të Qytetit në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar se ky akt përfaqëson vazhdimin e përpjekjeve të qëndrueshme për të vjedhur trashëgiminë kulturore serbe dhe institucionet që përfaqësojnë dëshmi të pakundërshtueshme të historisë dhe së vërtetës për Kosovën.
Nga Ministria theksojnë se pas hyrjeve të mëparshme të dhunshme në hapësirat e Institutit për sport, rininë dhe shërbimet e specializuara, të Bashkimit sportiv dhe të Shoqatës kulturore-artistike “Kosovski bozhur”, autoritetet nga Prishtina po vazhdojnë me uzurpimin e gjithçkaje që është serbe, me synimin e vetëm për të rishkruar historinë dhe për të frikësuar popullin serb, që ta detyrojnë ta braktisë tokën e tij shekullore në Kosovë.
“Ky akt i turpshëm terrori, i drejtuar kundër gjurmëve të kulturës serbe dhe kundër popullit serb në krahinën jugore të Republikës së Serbisë, përfaqëson vazhdimin e përpjekjeve të qëndrueshme për të vjedhur trashëgiminë kulturore serbe dhe institucionet që përbëjnë dëshmi të pakundërshtueshme të historisë dhe së vërtetës për Kosovë e Metohi. Persekutimi brutal dhe sistematik i popullit serb, nëpërmjet marrjes së territoreve dhe trashëgimisë së tij kulturore, është vetëm një tjetër mënyrë përmes së cilës kombi i trilluar kosovar përpiqet të fshijë gjurmët e identitetit dhe të qenies serbe. Uzurpatorët nuk e kuptojnë se trashëgimia kulturore nuk mund të grabitet, dhe se të drejtat dhe identiteti nuk mund të ndërtohen me dhunë apo me ndërrimin e bravave. Trashëgimia krijohet nëpër shekuj me kreativitet, jo në çaste urrejtjeje,” thuhet në deklaratë.
Ministria shton se kultura nuk buron nga barbarizmi.
“Ministria e Kulturës mbetet e përkushtuar në luftën për ruajtjen e trashëgimisë, të drejtës dhe të vërtetës për historinë shumë shekullore të ekzistencës së popullit serb në Kosovë e Metohi si territor i pandashëm i Republikës së Serbisë,” përfundon deklarata.
0 komentet