Muhaxhiri: Në krizën ekonomike premtimi për paga më të larta solli më shumë vota për PDK

Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, ka fituar disa dhjetëra mijëra vota më shumë në krahasim me zgjedhjet e katër viteve më parë, ndërsa analisti politik Artan Muhaxhiri vlerëson se faktori më i rëndësishëm që ndihmoi PDK-në të fitojë më shumë mbështetje është se kandidati i tyre për kryeministër, Bedri Hamza, premtoi rritje të pagave prej 50 për qind.
Siç shprehet ai, në krizën aktuale ekonomike, mirëqenia dhe pagat e njerëzve janë një faktor shumë i rëndësishëm për të vendosur se kë të votojnë.
PDK-ja i kishte rritur pagat dy herë në të kaluarën dhe njerëzit tani kishin njëfarë besimi se mund ta bënin përsëri. Pra, mendoj se ky ishte ndoshta faktori më i rëndësishëm që çoi në rritjen e votave të PDK-së”, thotë Muhaxhiri.
Ai thekson se Albin Kurti nuk ka bërë ndonjë projekt të madh në ekonomi dhe se ka marrëdhënie shumë të dobëta me SHBA-në dhe BE-në, por se opozita duhet të përfitojë nga kjo dhe të krijojë një platformë shumë më të mirë për qytetarët.
“Nuk e kanë bërë këtë dhe kanë këtë rezultat, që nuk mendoj se është i kënaqshëm për ta”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Për opsionin që PDK-ja të bashkohet me partitë tjera opozitare dhe të formojë qeverinë pa Vetëvendosjen, Muhaxhiri thotë se ekziston si një shans teorik.
“Nëse të gjitha partitë opozitare bëhen bashkë, mund të formojnë një qeveri, përfshirë edhe Listën Srpska, dhe mendoj se kjo mund të jetë një opsion racional për shkak të problemeve madhore me të cilat ballafaqohet Kosova në bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht në dialog dhe në çështjen e Asociacionit (të komunave serbe). Një qeveri e tillë mund të përfundojë të gjitha punët e papërfunduara, të gjitha këto kërkesa të bëra nga komuniteti ndërkombëtar dhe të rigjenerojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në. Mendoj se Kosova do të jetë në telashe të mëdha nëse Kurti vazhdon të ketë këtë qasje ndaj SHBA-së”, tha Muhaxhiri.
komentet