NATO: Të respektohen marrëveshjet për prezencën e FSK-së në veri
Zëdhënësja e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Oana Lungesku, tha sot se NATO i vlerëson ngjarjet në veri të Kosovës si “shumë serioze” dhe po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve, në përputhje me kompetencat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në një postim në Twitter, Lungesku ka thënë se angazhimi i NATO-s dhe KFOR-it për zbatimin e detyrimeve të mandatit të tyre është i palëkundur, gjë që shihet, siç theksoi ajo, nga dislokimi i fundit e 500 ushtarëve shtesë.
“Ne ua rikujtojmë të gjitha palëve obligimet e tyre ndaj KFOR-it të përcaktuara me Marrëveshjen Teknike Ushtarake duke përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Këto obligime janë të krijuara për të siguruar veprime të koordinuara, për të shmangur përshkallëzimin dhe për të ruajtur një mjedis të sigurt", tha Lungesku.
Kujtojmë se sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, FSK nuk mund të lëvizë në pjesën veriore të Kosovës pa miratimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Këtë është e përcaktuar edhe me shkëmbimin e letrave mes ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Andreas Fog Rasmusen dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku është garantuar se për ardhjen e FSK-së në veri, përveç komandantit të KFOR-it, duhet të pajtohen edhe kryetarët e komunave të katër komunave me shumicë serbe.
0 komentet