Në Zveçan të gjithë kandidatët për këshilltarë të PDK-së dhe të Vetëvendosjes janë nga dy familje, në komisionet zgjedhore anëtarë të të njëjtave familje
Në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për këshilltarë në Kuvendin Komunal të Zveçanit, në zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme janë vetëm anëtarët e dy familjeve, Kelmendi dhe Peci.
Sipas listave zgjedhore të kandidatëve në të cilat ka pasur qasje Kosovo Online, në Zveçan janë 16 kandidatë për këshilltarë, dy Peci - Ilir dhe Ukshin dhe 14 Kelmendi. Bartësi i listës së PDK-së për këshilltarë është Selvete Kelmendi.
Vetëvendosje ka 11 kandidatë dhe të gjithë janë nga familja Peci. Bartësi i listës është Fetah Peci, i cili është edhe kandidat i kësaj partie për kryetar të Zveçanit.
Ndryshe, në Zveçan janë shënuar parregullsi në përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit zgjedhor, të cilët kanë lidhje edhe me persona të familjes Kelmendi dhe Peci.
Gjegjësisht, sipas listave në të cilat ka pasur qasje Kosovo Online, në dy vendvotimet ku janë caktuar dhjetë anëtarë, të gjithë vijnë nga këto dy familje. Në një vendvotim, katër kelmendas kontrollojnë zgjedhjet, ndërsa anëtari i pestë është Kujtim Peci. Në të dytin, shpërndarja e forcave është e kundërt, pra anëtarë të bordit janë tre Peci dhe dy Kelmendi.

0 komentet