Odalloviq: Nuk është rastësi që Ligji për Organizimin Territorial i përjashtoi fshatrat shqiptare nga komunat që hyjnë në BKS
Kryetar i Komisionit për Persona të Zhdukur Velko Odalloviq thotë se Bashkësia e Komunave Serbe (BKS) duhet të përfshijë dhjetë komunat tashmë ekzistuese ku jetojnë serbët dhe të mundësojë kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet në Prishtinë, transmeton Informer.
Odalloviq tha për Tanjug se ishte i befasuar që gjithnjë e më shumë parti dhe individë dolën për të komentuar formimin e BKS-së.
Ai theksoi se ky është një proces i vazhdueshëm dhe se nuk është asgjë e re, se është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit që është nënshkruar dhjetë vjet më parë, dhe të cilës i paraprinë edhe dhjetë marrëveshje të veçanta.
“Nëse kthehemi pas, do të arrijmë në Rezolutën 1244, e cila në thelb thotë se duhet të sigurohet autonomia thelbësore për njerëzit që jetojnë në Kosovë, por sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës Federale të Jugosllavisë në atë kohë nuk është në pikëpyetje”, thotë Odalloviq, duke komentuar atë që i ka paraprirë BKS-së dhe për çka ajo i referohet.
Ai përkujtoi se BKS është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, e cila është Marrëveshja e Parë për parimet e normalizimit të marrëdhënieve dhe se BKS ishte thelbi i asaj marrëveshjeje.
“Artisari me planin e tij ka përcaktuar qartë themelin e kushtetutës së shtetit të vetëshpallur të Kosovës dhe më pas ka renditur komunat që duhet të formohen, dhe u formuan gjashtë komuna dhe me katër ekzistueseve, u ngrit në 10 komuna”, thotë Odalloviq.
Ai shpjegon se BKS në fakt është diçka që përfshin ato 10 komuna, sepse “jo rastësisht u shkrua dhe Ligji për Organizimin Territorial të Shtetit të Vetëshpallur që formoi ato komuna përjashtoi fshatrat shqiptare nga ato komuna dhe e la atë të jetë një shumicë serbe”.
Ai thekson se parimi udhëzues i gjithë historisë ishte edhe më herët që serbët të shkojnë në zgjedhje dhe të fitojnë pushtetin lokal ku jetojnë sipas ligjeve të Kosovës, para së gjithash në veri.
“BKS është dashur të funksionojë në mënyrë që serbët që kanë qenë në shërbimin policor të hyjnë në shërbimin policor të Kosovës dhe të kryejnë shërbimin e tyre në zonat serbe, të kujdesen për rendin dhe qetësinë dhe sigurinë publike", thotë Odalloviq në përgjigje të një pyetjeje për prezencën e policisë serbe në qeverinë e Kosovës.
Odalloviq shton se BKS duhet të lidhet me një dokument që duhet të nënshkruhet nga të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, sepse Beogradi nuk ka probleme me obligimet e veta dhe prandaj rezistenca e Albin Kurtit dhe e të gjithëve rreth tij është më e madhe.
Ai theksoi se BKS do t'u mundësojë serbëve të përmbushin disa të drejta kolektive përmes saj dhe se ky dokument sjell cilësi të reja në fushat ku duhet të arrihet një marrëveshje, por ku do të ketë linjat të kuqe.
komentet