Orlliq: Protestat në Prishtinë janë një tregues i rëndësisë së BKS-së

Vladimir Orlić
Burim: SNS

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vlladimir Orlliq, ka theksuar sot se protestat në Prishtinë për shkak të marrëveshjes evropiane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë dëshmi e rëndësisë së themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, transmeton Danas.

Duke përmbledhur protestën e djeshme në Prishtinë dhe bombat tymi të hedhura gjatë ngjarjes, ai tha se BKS mund t'i shkaktojë probleme të mëdha kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Në bazë të atyre ngjarjeve të djeshme, por jo vetëm atyre, mund ta kuptojmë më mirë rëndësinë e BKS-së dhe çfarë lloj trazirash mund të shkaktojë një pyetje e tillë në nivelin politik në Prishtinë dhe në vetë Albin Kurtin”, tha Orlliq për televizionin Happy.

Sipas fjalëve të tij, Kurti “rezistoi në të gjitha mënyrat e mundshme dhe të pamundura” për t'i shmangur atij detyrimin, ndërsa protestat në Prishtinë treguan se çfarë mendon skena politike atje për BKS, që është treguesi kryesor i rëndësisë së atij komuniteti për serbët në veri të Kosovës.

“Dhe pastaj dikush këtu ju thotë se BKS nuk është në interesin e serbëve, se nuk është diçka aq e rëndësishme. Atje duan ta djegin Kurtin (për shkak të BKS-së), i thonë se do t'i hedhin bomba molotov. Dhe kjo është përgjigja më e mirë, nëse BKS është domethënëse apo jo”, vlerësoi Orlliq.