Orlliq: Serbët në Kosovë vuajnë terrorin më të tmerrshëm, Prishtina të formojë BKS-në
Kryetari i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, Vlladimir Orlliq, në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian theksoi se serbët në Kosovë po vuajnë terrorin më të tmerrshëm dhe shtoi se për përparimin në dialogu, është e nevojshme që Prishtina ta përmbushë obligimin e saj dhe të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe.
Siç thuhet në njoftimin e Kuvendit të Serbisë, Orlliq tha se Serbia do të vazhdojë luftën e saj për stabilitet dhe paqe.
“Ne presim mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve tanë. Populli serb në Kosovë e Metohi përjeton terrorin më të tmerrshëm. Aty arrestohen njerëz, pushkatohen, keqtrajtohen edhe fëmijët. Është e mahnitshme ajo që po ndodh në zemër të Evropës në shekullin e 21-të. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për stabilitetin dhe paqen, parakushtet themelore për përparimin tonë dhe e rajonit në tërësi”, tha Orlliq.
Orlliq shfrytëzoi rastin për të uruar kandidatët e rinj për anëtarësim në BE, duke theksuar se Serbia është e gatshme të ndajë me ta përvojat e saj, të ofrojë mbështetje dhe çdo ndihmë. Ai përsëriti se anëtarësimi i plotë në BE mbetet synimi strategjik i Republikës së Serbisë.
“Gjithmonë do të dëgjoni të njëjtën gjë nga presidenti i Republikës Aleksandar Vuçiq, kryeministrja e Serbisë dhe ne në Kuvendin Popullor dhe këto fjalë i konfirmojmë me përkushtim dhe progres konkret”, tha Orlliq, duke treguar sukseset që ka arritur Serbia në të gjitha fushat që bien nën sundimin e ligjit, si dhe në përfundimin e reformës në drejtësi.
Mikpritës të mëngjesit të punës ishin Presidenti i Senatit të Republikës Çeke, Milosh Vistrçill dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës Çeke, Marketa Pekarova Adamova.
Përveç Kryetarit të Kuvendit të Serbisë, në mëngjesin e punës morën pjesë edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të BeH-së, Denis Zvizdiq, Kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Džaferi, Kryetari i Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, Presidenti i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk, si dhe Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj.
Gjatë prezantimeve të tyre, kryetarët dhe përfaqësuesit e parlamenteve kombëtare shkëmbyen përvoja në procesin e integrimeve evropiane, vunë në dukje përpjekjet e ndërmarra, progresin e arritur dhe sfidat me të cilat përballen në përmbushjen e kritereve për anëtarësim, si dhe shprehën vullnetin e tyre për të vazhduar mbështetjen e ndërsjellë dhe bashkëpunim në këtë çështje.
0 komentet