Pavkoviq: Dështimi i negociatave në Bruksel ndikon në besueshmërinë e BE, roli i Lajçakut është vendimtar

Miloš Pavković
Burim: Kosovo Online

Milosh Pavkoviq, studiues në Qendrën për Politika Evropiane, vlerëson se dështimi i negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e dinarit ndikon në besueshmërinë e BE-së dhe se roli i Miroslav Lajçakut si ndërmjetësues kryesor do të jetë vendimtar në raundin e ri të bisedimeve.

“Natyrisht që të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, kanë qëndrime diametralisht të kundërta kur bëhet fjalë për dinarin. Unë supozoj se qëndrimi i Beogradit është që disa institucione bankare të licencohen për të vazhduar funksionimin e dinarit, ndërsa për Prishtinën bëhet fjalë vetëm për kalimin në euro. Roli i Bashkimit Evropian dhe mënyra se si Miroslav Lajçak do të vazhdojë të ndërmjetësojë për këtë çështje është vendimtar”, tha Pavkoviq për Kosovo online.

Ai thotë se kjo nuk është hera e parë që nuk ka progres në dialog dhe se ky proces ka vazhduar në dy-tre vitet e fundit, dhe shkaqet i sheh në faktin se BE-ja është ndërmjetësuese në negociatat dhe se nuk ka mekanizma për t'i detyruar të dyja palët të bëjnë diçka apo zbatuar.

“Kur marrim parasysh raundet e mëparshme të dështuara dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, kjo definitivisht ndikon në besueshmërinë e Bashkimit Evropian si aktor. E pamë se sa herë që BE-ja nuk mund të merrej me dy palët, i bënte thirrje SHBA-së në ndihmë që ta ushtrojnë atë presion”, tha Pavkoviq.

Ai po ashtu ka theksuar se një rrethanë shtesë rënduese është fakti se BE-ja po hyn në fushatën parazgjedhore.

“Bashkimi Evropian është shumë i kufizuar dhe besueshmëria e saj është shumë në rrezik. Duhet të kemi parasysh se mandati i Miroslav Lajçakut do të përfundojë pas disa muajsh. BE-ja tashmë po hyn dalëngadalë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat na presin në qershor dhe e gjithë kjo duhet të merret parasysh kur flasim për hapësirën e manovrimit dhe mundësinë që BE-ja të ndikojë në të dyja palët në dialog”, thotë Pavkoviq.