Stano: Takimi i negociatorëve kryesore të Beogradit dhe Prishtinës të martën në Bruksel
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të ditur se të martën, më 19 mars, në Bruksel do të mbahet takimi i negociatorëve kryesorë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ku temë kryesore do të jetë vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Siç thamë pas mbledhjes së parë që iu kushtua vendimit të BQK-së, duhen më shumë bisedime”, tha Stano dhe shtoi se i dërguari special i BE Mirosllav Lajçak ftoi negociatorët kryesorë që të vijnë në Bruksel dhe të vazhdojnë diskutimet për vendimin e BQK-së, por edhe për tema të tjera të rëndësishme.
Ai ka vlerësuar se ka qenë një bisedë e mirë për të cilën palët kanë dërguar personin që e konsiderojnë më adekuat për ta diskutuar menjëherë pas vendimit të BQK-së.
"Takimi zgjidhi disa çështje, u prek disa gjëra dhe la disa gjëra që duhen ndjekur. Dhe pikërisht ky është vazhdimi, por në këtë fazë me negociatorët kryesorë nga të dyja palët", tha zëdhënësi i BE-së.
Ai po ashtu ka thënë se nuk do të komentojë kundërshtimet e qeverisë së Kosovës gjatë këtij dhe raundit të mëparshëm të bisedimeve dhe kujtoi se BE i ftoi qartë të dyja palët dhe ua la atyre në dorë se kë do të dërgonin për t'u marrë me problemet që lindën për shkak të mungesës së koordinimit dhe lëvizjeve të njëanshme, të cilat krijuan probleme në dialog.
“Por e mira është se ne kemi filluar të merremi me të në dialog, kështu që kjo do të jetë një nga temat e rendit të ditës të martën e ardhshme. Dhe sigurisht, zbatimi gjithëpërfshirës i të ashtuquajturës Marrëveshja e Ohrit është një nga temat më urgjente”, tha Stano.
0 komentet