Pavkoviq: Prishtina blen kohë duke e dërguar draftin e AKS në Gjykatën Kushtetuese
Milosh Pavkoviq, hulumtues në Qendrën për Politika Evropiane, thotë se Prishtina po taktizon për formimin e AKS dhe se me dërgimin e draft Statutit në Gjykatën Kushtetuese, “topi do të jetë në fushën e gjyqtarëve” të cilët mund të vendosin mbi të për muaj, madje edhe vite.
“Kjo në njëfarë mënyre është taktikë e qeverisë së Kosovës dhe balancimi mes dëshirës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa formuar AKS”, thotë Pavkoviq.
Ai sqaron se dërgimi i draftit të Statutit të AKS është pjesë e obligimit që liderët e Kosovës e pranuan në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Qeveria e Kosovës dëshiron të dërgojë mesazh se me këtë akt – me fillimin e procedurës para Gjykatës Kushtetuese, fillon formalisht procesin e formimit të AKS. Ky është zotimi që presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë në letrën që i kanë dërguar Këshillit të Evropës. Në atë mënyrë lidhet edhe me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë Pavkoviq.
Ai shton se nëse drafti i Statutit të AKS dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë “topi” do të jetë në fushën e gjyqtarëve kushtetues.
“Nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim që drafti i propozuar është në përputhje me Kushtetutën, atëherë nuk do të ketë asnjë pengesë, asnjë justifikim për Qeverinë e Kosovës që ta vonojë zbatimin dhe do të jetë një mundësi për partnerët perëndimorë që të bëjnë më shumë presion mbi Kosovën. Nëse ka një vendim të kundërt, pra vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese se drafti nuk është në përputhje me Kushtetutën, atëherë do të shkaktohet një vonesë shumëvjeçare në formimin të AKS, sepse atëherë i gjithë procesi i hartimit të Statutit do të duhet të fillojë nga fillimi”, beson Pavkoviq.
Ai nuk e përjashton mundësinë që edhe dërgimi i draft Statutit të AKS në Gjykatën Kushtetuese për Prishtinën është të blejë kohë.
“Kjo mund të nënkuptojë blerjen e kohës për Qeverinë e Kosovës sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të marrë pak kohë. Qeveria po dërgon një mesazh se kanë nisur zyrtarisht procesin, por se tashmë janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që mund të zgjasë me muaj, nëse jo edhe vite. Kjo është duke blerë kohë, sepse ne e dimë se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është shumë i kundërt me atë që është rënë dakord në marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 kur është fjala për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, thekson Pavkoviq.
komentet