Peci: Pa KKS nuk ka marrëveshje përfundimtare
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk tregon vullnet për themelimin e Komunitetin të Komunave Serbe, nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, transmeton Gazeta Blic.
Këtë e deklaroi Peci në emisionin “ResPublika” në TV 1 dhe shtoi se kushdo që mendon se marrëveshja përfundimtare me Serbinë mund të arrihet pa KKS, ose po mashtron veten ose po mashtron opinionin publik.
Më tej Peci tha se nga viti 2017 deri në vitin 2020 askush nuk e ka përmendur KKS-në sepse ishte planifikuar të bëhej diçka tjetër, por siç tha ai, kur plani i shkëmbimit të territorit dështoi, atëherë u ngrit sërish çështja e formimit të KKS-së.
"Tani jemi në një pozitë ku themelimi i KKS-së do të jetë i pashmangshëm sepse nëse nuk tregojnë vullnetin për formimin atëherë Kosova do të shpallet fajtore për bojkotimin e negociatave dhe pasojat për vendin tonë do të jenë të mëdha, deri në atë masë që do të çojë në humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. Nëse na shpallin fajtorë, atëherë do të konsiderohet se Serbia e ka mbaruar punën me kapitullin 35, do të marrë rrugën e duhur drejt integrimit në BE dhe kjo do të ishte katastrofike për ne", tha ai.
komentet