Petkoviq: Albin Kurti është përgjegjës për gjithçka që ndodhi dje në veri të Kosovës
Albin Kurti është përgjegjës për gjithçka që ndodhi dje në Zveçan, theksoi Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, duke përsëritur se edhe sot mesazhi më i rëndësishëm për përfaqësuesit e Quint-it do të jetë që “të bindin Kurtin dhe atë fëmijën e tyre që quhet Kosovë”, sepse, siç thekson ai, në të kundërtën gjithçka mund të shkojë në një drejtim të pakthyeshëm dhe t'i vërë flakën gjithë rajonit.
“Piromani i Ballkanit, Albin Kurti, ka dashur dje t'i vërë zjarrin të gjithë rajonit dhe rezultati i atij konflikti është se 52 civilë u plagosën në palën serbe, tre prej tyre rëndë, në radhë të parë Dragisha Galak, i cili mori dy plumba kur u qëllua pas shpinës nga një polic special ROSU, dhe atëherë kur ai vrapoi për t'u larguar nga gazi lotsjellës, si shumica e serbëve", tha Petkoviq në RTS.
Ai shtoi se edhe Çasllav Sofronijeviq dhe mjeku Dragisha Milloviq janë lënduar rëndë dhe se janë lënduar edhe 41 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre rëndë.
“I urojmë shërim të shpejtë të gjithëve, shpresojmë që të mos ketë viktima dhe nuk e kemi problem ta themi këtë. Serbët nuk kanë dashur kurrë një konflikt me KFOR-in, ai që e ka dashur ka qenë Albin Kurti dhe kur i shikon të gjitha veprimet e tij mbi fundjavën dhe të premten e ka pasur të qartë për të gjithë se ai dëshiron konflikte. Ai dëshiron të provokojë luftë, sepse kjo është mënyra e vetme për të shmangur përmbushjen e detyrimeve të tij, në radhë të parë formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Udhëheqja e Serbisë dhe përfaqësuesit e Listës Serbe morën garanci serioze nga perëndimi, mbi të gjitha nga KFOR-i, se nuk do t'i lejojnë “pushtuesit Gauleiter” të hyjnë në ndërtesat serbe”, tha Petkoviq.
Mirëpo, siç shton ai, dje është parë se kanë vendosur tela me gjemba, kordonë, në mënyrë që, siç shprehet ai, të ndihmojnë kryetarët shqiptarë që të mund të hyjnë në ndërtesat serbe.
“Ata është dashur të jenë prezent të premten dhe është dashur të parandalojnë hyrjen e atyre që kanë çuar në trazira dhe konflikte. Kandidatët e PDK-së – partisë së Hashim Thaçit, kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë marrë vendim që të mos hyjnë në ndërtesat në ato dy komuna, por ky nuk është rasti me kryetarët e Kurtit në Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, për më tepër, ky i tyre në Leposaviq nuk ka dalë akoma”, thekson Petkoviq.
Ai thekson se këta nuk janë kryetarë legjitimë dhe se Kurti është drejtpërdrejt përgjegjës për gjithçka që ka ndodhur dje.
Ai tregon se serbët kanë pasur një protestë paqësore, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë Igor Simiqin dhe Goran Rakiqin, të cilët si serbët e tjerë janë ulur të qetë në pllajë.
Duke theksuar se çdo protestë e serbëve deri më tani ka qenë paqësore, Petkoviq thotë se kur ishin ulur, KFOR-i i lëvizi me forcë për të shkuar te dy vetura të ROSU-së.
“E gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur nëse KFOR-i nuk do të kishte reaguar dhe nuk do të kishte hedhur gaz lotsjellës. Pastaj populli fillimisht filloi t'i kundërshtojë me grushte, por të mos harrojmë se mandati i KFOR-it është të mbrojë popullin serb, dhe ata ishin aty për të mbrojtur pushtuesit Gauleiter”, tha Petkoviq dhe shtoi se KFOR-i pothuajse ka ndihmuar njësitë e ROSU.
Sipas tij, dje nga Beogradi ka nisur një ofensivë e rëndë diplomatike, e cila vazhdon edhe sot dhe se momentalisht po zhvillohet takimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesve të Quint-it.
Ai kujton se Vuçiq ka biseduar edhe me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, si dhe me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Gjuzepe Borel, dhe thekson se bisedimet do të vazhdojnë.
“Së pari, ne insistojmë që Prishtina të lirojë dy të burgosurit tanë - Radosh Petroviqin dhe Dushan Obrenoviqin. Ata u dërguan në Mitrovicën e Jugut, të akuzuar për huliganizëm, por ata u ulën të qetë në rreshtat e parë. Populli ynë po proteston paqësisht, nuk mund të pajtohen me pushtimin e veriut, me lecka - flamuj të Kosovës të ekspozuar. Serbët duan të jetojnë duke i mbrojtur institucionet e tyre”, ka theksuar Petkoviq.
Ai përsëriti fjalët e Vuçiqit se “nëse qëllon okupatori shqiptar, do të marrë përgjigje”.
“Kemi kërkuar nga KFOR-i që të veprojë, por nëse nuk reagon, ka dikush që do ta mbrojë popullin tonë”, tha Petkoviq dhe shtoi se ushtria serbe është në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake dhe se mbrëmë janë dislokuar në lokacione shtesë.
“Udhëheqja e shtetit ka vizituar ushtarët, Ushtria e Serbisë po bën punën e saj, që është të mbrojë popullin dhe vendin... Ne nuk duam konflikte, kështu bëri Kurti duke u përplasur me popullin dhe në fund të fundit, kur shikoni deklaratat e disa ambasadorëve, është një deklaratë mjaft e balancuar ku nuk përmendet përgjegjësia e palës serbe. Shpresoj që shumë njerëz e panë dje se përgjegjësia është e Kurtit”, tha Petkoviq.
Mesazhi më i rëndësishëm edhe sot për përfaqësuesit e Quint-it është, siç thotë Petkoviq, “të bindin Kurtin”.
“Dhe atë fëmijën e tyre që quhet Kosovë, sepse të gjitha gjërat mund të shkojnë në një drejtim të pakthyeshëm dhe i gjithë rajoni mund të marrë flakë. Kurti dëshiron të paraqitet si një Zelenski i vogël, por në fakt ai është një Hilter i vogël që dëshiron të dëbojë popullin serb. Ne nuk do ta lejojmë ta bëjë këtë, Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq nuk do ta lejojnë atë”, tha Petkoviq.
komentet