Petkoviq: Axhenda e Beogradit është dialogu dhe kompromisi, Kurti njeh vetëm tensione dhe provokime
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, mbrëmë, duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti, se masat e BE-së kanë qenë të padrejta dhe të vendosura për shkak të Serbisë, tha se axhenda e Beogradit janë dialogu, paqja dhe kompromisi, ndërsa Kurti njeh vetëm ngritjen e tensioneve, eskalimet dhe provokimet.
“Prandaj tash dy ditë po e zhvillon fushatën e tij parazgjedhore në veri të Kosovës dhe Metohisë. Për një obsesion të tillë, përgjigjen do ta marrë në zgjedhjet e 28 dhjetorit”, shkroi Petkoviq në rrjetin social “X”.
Duke përshëndetur vendimin e BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, Kurti theksoi dje se ato kanë qenë të padrejta për shkak të ndarjeve që, sipas tij, i ka imponuar Serbia.
“Qeveria jonë që nga fillimi ka pohuar vazhdimisht se këto masa kanë qenë të padrejta, sepse e kanë sanksionuar Kosovën për ndarjet që i ka organizuar Serbia – një axhendë që gjithashtu ka çuar në disa sulme të mëdha terroriste në territorin tonë, përfshirë sulmin fatal në Banjskë dhe një tjetër në Ibar-Lepenc që kishte në shënjestër infrastrukturën kritike”, shkroi Kurti në rrjetin social “X”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë, pas samitit BE–Ballkani Perëndimor, njoftoi se është marrë vendimi për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës.
0 komentet