Petkoviq me Bunfordin: E rëndësishme që Lista Serbe t’i fitojë të dhjetë mandatet, edhe pse Kurti po bën gjithçka për ta penguar
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, bisedoi sot me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe këshilltarin e kryeministrit hungarez, Zsolt Bunford, për situatën politike dhe të sigurisë në rajon, për zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme në Kosovë, si dhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel.
Duke theksuar se Lista Serbe në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë ka fituar pushtetin në të dhjetë komunat me shumicë serbe, Petkoviq nënvizoi se është me rëndësi të jashtëzakonshme që kjo parti, si i vetmi përfaqësues legjitim i serbëve në Kosovë, të fitojë edhe të dhjetë mandatet e deputetëve, edhe pse pushteti i Albin Kurtit po bën sërish gjithçka që ta pengojë të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe të përfaqësojë interesat e popullit serb, thuhet në njoftimin e Zyrës për KeM.
“Kryekomunarët serbë në veri të Kosovës gjetën një gjendje katastrofale, zyra të rrënuara e të plaçkitura, ikona të dëmtuara, mbishkrime kërcënuese, gjë që flet për qëndrimin e turpshëm që regjimi i Kurtit, kryetarët shqiptarë të rremë dhe pjesëtarët e të ashtuquajturës polici e Kosovës kanë treguar ndaj popullit serb në tërësi”, tha Petkoviq.
Ai falënderoi bashkëbiseduesin hungarez për mirëkuptimin ndaj problemeve të popullit serb në Kosovë dhe për qëndrimin parimor dhe konstruktiv që Hungaria tregon ndaj Serbisë, që është ndërtuar mbi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.
“Beogradi do të vazhdojë të sillet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të mbajë një qëndrim të përgjegjshëm ndaj dialogut që zhvillohet në Bruksel, edhe pse Prishtina, e udhëhequr nga Kurti, po bën gjithçka për të shkatërruar marrëveshjet e arritura deri më tani dhe në mënyrë të vendosur refuzon të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, përfundoi Petkoviq.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Hungarisë në Serbi, Jozsef Magyar, shtohet në njoftim.
0 komentet