Petkoviq i ka thënë Kurtit: Me siguri po gënjen, dje iku nga tema e të zhdukurit
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se Serbia me pranimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur “ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës”, duke i thënë atij që “vazhdon të shkëlqejë siç bëri dje në Bruksel Besnik Bislimi, duke refuzuar të flasë për ndriçimin e fatit të të zhdukurve”.
“Ju vazhdoni të shkëlqeni, Albin Kurti, ashtu si dje “eksperti” Bislimi në Bruksel, i cili nuk pranoi të diskutojë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, edhe pse Beogradi këmbënguli. Po gënjeni, sapo dje iku nga tema e personave të zhdukur”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Në një deklaratë me shkrim për media, Petkoviq ka theksuar se pas raundit të djeshëm të dialogut në Bruksel, “është shumë e qartë se Prishtina nuk ka ndërmend të diskutojë në mënyrë konstruktive, jo vetëm për Bashkësinë e Komunave Serbe, por edhe për ndonjë aspekt tjetër të normalizimit të marrëdhënieve”.
“Albin Kurti, për ta thënë më butë, po bën shaka dhe qesh përballë të gjithë pjesëmarrësve në dialog, përfshirë edhe përfaqësuesit e BE-së, duke fajësuar Beogradin për ngecjen e negociatave, dhe atë vetëm një ditë pasi përfaqësuesi i Prishtinës, Besnik Bislimi, në bisedime u soll jo vetëm në mënyrë jokonstruktive, por edhe arrogante”, ka theksuar Petkoviq.
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi thekson se Beogradi ka vite që vazhdimisht i qaset dialogut në mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive, duke konsideruar se normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën është në interes të dyanshëm dhe këtë mund ta mbështesë me argumente të pakundërshtueshme në çdo kohë.
Kurti dhe rrethi i tij ekstremist në Prishtinë, siç shton Petkoviq, nuk janë të interesuar për zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve me mjete civilizuese dhe politike, por ekskluzivisht për dhunë dhe ndryshim të njëanshëm të situatës në terren, duke përfshirë provokimin e vazhdueshëm, duke rrezikuar sigurinë dhe të drejtat e popullit serb në Kosovë e Metohi.
“Është ora e fundit që Kurti të disiplinojë veten, jo vetëm që të ndalojë së minuari haptazi dhe publikisht procesin e dialogut, por edhe për ta penguar atë nga synimi i qartë për destabilizimin e rajonit”, theksoi Petkoviq.
komentet