Petkoviq: Kurti po bëhet gjithnjë e më i egër, dëshiron të përfundojë me serbët në Kosovë
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq deklaroi sot se inkursioni i fundit i Policisë së Kosovës në institucionet e Serbisë në veri të Kosovës është një tjetër veprim i njëanshëm dhe i dhunshëm i Albin Kurtit me qëllim të dëbimit të serbëve, dhe paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj dialogut, marrëveshjes për Bashkësiminin e Komunave Serbe dhe gjithë procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
“Kurti po bëhet gjithnjë e më i egër, politika e tij antiserbe arriti pikën e vlimit, veçanërisht në veri. E kemi parë reagimin e Listës Serbe dhe vendosmërinë dhe synimin e qartë të serbëve që të mos e pësojnë këtë situatë, e cila çon në krijimin e kushteve të patolerueshme për jetë, që është parathënie e spastrimit etnik”, tha Petkoviq për RTS.
Ai ka thënë se gjendja emergjente për serbët në Kosovë ka zgjatur sidomos pas ardhjes së Kurtit në pushtet, dhe se është e qartë për të gjithë se me mbylljen e institucioneve serbe, ai dëshiron t'i japë fund njëherë e përgjithmonë popullit serb në Kosovë.
Ai nënvizoi se institucionet që dje u bastisën nga forcat speciale të Kosovës nuk ishin aspak “institucione paralele”, por plotësisht juridike shtetërore dhe institucionet lokale të Serbisë në Kosovë
“Të vetmet institucione ilegale dhe jolegjitime janë ato të përgjithshme në veri të udhëhequra nga gauleiterët shqiptarë, të cilët me 300 apo 400 vota shqiptare morën komunat dhe ndërtesat serbe”, tha Petkoviq.
Ai gjithashtu theksoi se nuk është e vërtetë që policia ka bastisur vetëm ndërtesat e organeve të përkohshme, duke pasur parasysh se kanë hyrë në byronë e Zyrës për KeM, në Fondin PIO, në ambientet e Qendrës për Punë Sociale, në Institutin e Gjuhës Serbe, në KBC Mitrovica, në Zyrën e Rinisë në Leposaviq...
“Po flasim për një lëvizje të njëanshme, të dhunshme të Albin Kurtit me qëllim të dëbimit të serbëve, që e solli popullin serb në prag të një fakti të kryer. Në vend që të shkojmë në drejtim të deeskalimit, që është kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare që nga qershori i vitit të kaluar, ne kemi më shumë se 30 lëvizje përshkallëzuese nga autoritetet në Prishtinë”, theksoi Petkoviq.
Në Prishtinë janë nervozë për vizitën e Makronit në Serbi
Siç ka shtuar ai, dje autoritetet në Prishtinë kanë pritur përfundimin e orarit të punës së institucionit, kur në lokalet nuk kishte njeri përveç rojeve, por se është shumë e mundshme që ata kanë pritur përfundimin e vizitës së presidentit francez Emanuel Makron në Beograd, për shkak të së cilës, thotë ai, janë shumë nervozë.
“Ata janë shumë nervozë për atë vizitë, e cila ishte e përzemërt dhe miqësore, me marrëveshje të nënshkruara për blerjen e ‘rafaleve’. Kur sheh deklaratat e Kurtit, politikanëve dhe analistëve nga Prishtina, shihet se sa nuk u pëlqen pozicionimi shtesë i Serbisë në skenën ndërkombëtare. Sidomos sepse Makroni tha qartë në mes të Beogradit se dënon lëvizjet e njëanshme të Kurtit, se monitoron situatën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe se duhet të formohet BKS. Ai nervozizëm çoi në këtë veprim”, tha Petkoviq.
Ai tha se që nga dje ka qenë në kontakt me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilëve ua ka përcjellë atë që po ndodh, por edhe qëndrimin se ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj dialogut, ndaj marrëveshjes për formimin e BKS-së dhe për gjithçka që është bërë në procesin e normalizimit në vitet e mëparshme.
Është e qartë, shton ai, se Albin Kurti nuk dëshiron dialog.
“Sigurisht që ne duhet të thërrasim komunitetin ndërkombëtar, se ne reagojmë në drejtim të Kforit, Quint-it për të ndalur çmendurinë e Kurtit”, ka thënë Petkoviq.
Me njoftime nuk mund të hiqni përgjegjësinë
Petkoviq ka theksuar se në periudhën paraprake, me rastin e lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës, ka pasur njoftime nga amerikanët, BE-ja, Quinta-i, herë më të forta, herë më të buta, por asnjëherë reagim apo masa konkrete pas veprimeve të tilla.
“Nuk mund ta lani përgjegjësinë tuaj vetëm me njoftime. Me këto lëvizje Kurti ndryshon realitetin në fushë. Pra, për çfarë duhet të flasim në Bruksel? Për lëvizjet e njëanshme të Kurtit, kush nuk i ndryshon vendimet? Ata thonë - ka ndodhur. Epo, kjo ndodhi sepse ju e lejuat dhe nuk reagoni në mënyrën e duhur kur duhej”, tha Petkoviq dhe shtoi se në një situatë si kjo, më mirë të ketë disa reagime sesa të mos ketë fare. Është e qartë, thotë ai, se Kosova është “fëmijë i Perëndimit”, se bashkësia ndërkombëtare do të thotë vetëm se është kokëfortë dhe se nuk do të dëgjojë, se do të tolerohet derisa të vuajnë serbët, institucionet serbe po mbyllen dhe të gjithë ngrenë supet.
"Ne kujdesemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe të ruajmë popullin serb. Unë dua t'i siguroj serbët, pa marrë parasysh se ata po mbyllin institucionet ku punojnë mijëra serbë, dhe dhjetëra mijëra serbë varen nga pagesat që marrin përmes tyre, ne si shtet i Serbisë do të vazhdojmë të kujdesemi për popullin tonë, për të paguar përfitimet e nevojshme, siç kemi bërë deri tani. Kjo është në radhë të parë një kërkesë drejtuar qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq”, tha Petkoviq.
Ai shtoi se Serbia është e vendosur të ruajë paqen dhe ta zgjidhë çështjen e Kosovës ekskluzivisht me dialog, ndërsa Kurti është militant, që ushtron dhunë, dëshiron luftë dhe përleshje në veri të Kosovës, sepse nuk i pëlqen ky pozicionim i Serbisë në skenën ndërkombëtare.
“Me këto veprime ai po tenton të provokojë reagimin serb dhe për këtë arsye kërkoj nga serbët që të qëndrojnë të përmbajtur dhe të shprehin protestën e tyre në mënyrë demokratike, paqësore”, ka shtuar Petkoviq.
Ai ritheksoi se lëvizjet e tilla të Kurtit do të kenë pasoja të qëndrueshme, sepse institucionet e Serbisë në Kosovë janë shtylla kurrizore për formimin e BKS-së.
“Të gjithë thanë se çështja e institucioneve serbe duhet të zgjidhet me dialog. Është e qartë se institucionet tona janë themeli i BKS-së, por Kurti dëshiron të thotë se në Kosovë - nuk ka serbë, nuk ka institucione serbe, kështu që nuk ka nevojë të formohet një BKS. Është e rrezikshme”, përfundoi Petkoviq.
0 komentet