Petkoviq: Kurti u tremb nga uniteti i serbëve – e di që nuk mund ta mposhtë Listën Serbe, prandaj do ta ndalojë
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka deklaruar se përpjekja e Albin Kurtit për të ndaluar në mënyrë të paligjshme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme është treguesi më i mirë se sa shumë janë trembur Prishtina dhe "shërbëtorët e saj" nga uniteti dhe harmonia e serbëve, si dhe nga fuqia e kandidatëve të Listës Serbe.
„Në Prishtinë e dinë mirë se nuk mund ta mposhtin Listën Serbe, prandaj duan ta ndalojnë. Kurti është i bindur se serbët në Kosovë dhe Metohi i besojnë vetëm Listës Serbe dhe vetëm për të votojnë, dhe se nuk ka para, shantazh apo forcë që mund të detyrojë dikë të mbështesë kandidatët e tij që veprojnë siç urdhëron ai“, theksoi Petkoviq në një deklaratë.
Sipas Petkoviqit, Kurti është përpjekur të eliminojë Listën Serbe, por nuk do t’ia arrijë, ashtu siç nuk do të mund të instalojë "shërbëtorët e tij" në vendet parlamentare.
Petkoviq ka vënë në dukje gjithashtu se është vërtetuar ajo që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi pas incidentit në kanalin Ibër-Lepenci, se Kurti do të përpiqet ta ndalojë Listën Serbe për ta lënë popullin serb në Kosovë pa mbrojtje.
„Për këtë dhunë të re dhe veprime të paligjshme të Prishtinës kemi njoftuar të gjithë bashkësinë ndërkombëtare dhe presim reagimin e tyre të duhur dhe pa kompromis“, tha Petkoviq.
0 komentet