Petkoviq: Mbyllja e Qendrës për punë sociale në Leposaviq është vazhdim i fushatës antiserbe e Kurtit
Drejtori i Zyrës për KdheM Petar Petkoviq thotë se kryeministri i Kosovës me vendimin për mbylljen e Qendrës për punë sociale në Leposaviq, po udhëheq politikë antiserbe mbi shpinën e serbëve më të cenueshëm në Kosovë.
Petkoviq tha se në këtë mënyrë Kurti dëshiron të lërë në rrugë më shumë se 1.500 shfrytëzues të llojeve të ndryshme të asistencës sociale pa asnjë të ardhur apo ndihmë, për të cilët kjo është me rëndësi jetike.
“Pas mbylljes së Autoriteteve të Përkohshme, heqjes së dinarit, mbylljes së Postës dhe Bankës të Kursimeve Postare, Kurti tani ka goditur më të rrezikuarit, ata që nuk mund të mbijetojnë pa ndihmën e rregullt mujore sociale, për të cilët asistenca sociale nga shteti i Serbisë është e vetmja e ardhur, invalidët, fëmijët pa përkujdesje prindërore, të sëmurë, të pafuqishëm dhe të moshuarit”, tha Petkoviq.
Ai shtoi se kjo është fytyra e vërtetë e regjimit të Albin Kurtit, urrejtja e zhveshur dhe fshirja e çdo gjëje serbe në Kosovë dhe nëse ai fillon ta zbatojë planin e tij, do të çojë në një valë të re shpërngulje të serbëve nga këto treva, veçanërisht nga rajoni i komunës së Leposaviqit.
“Prandaj ai edhe sot në Leposaviq nuk ka çfarë të kërkojë dhe paralajmroj disa maternitete, se kudo që shkon i sjell popullit serb vetëm fatkeqësi. Serbët kanë maternitetet e tyre dhe spitalet e tyre”, shton ai.
Petkoviq ka theksuar se për qëllimet e Kurtit e ka njoftuar të dërguarin për dialog Miroslav Lajçak, bashkësinë ndërkombëtare dhe vendet anëtare të BE-së.
“Në gjithë botën, rastet sociale janë kategori të mbrojtura të popullatës, gëzojnë një shkallë të veçantë të të drejtave, vetëm serbët e cenueshëm në Kosovë nuk kanë të drejta dhe Kurti dëshiron t'i heqë të drejtën dhe t'i shtypë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare”, përfundoi Petkoviq.
0 komentet